Ndërlidhjet

Nisma për ndryshimin e ligjit të Speciales është dërguar për mendim në Qeveri

Arian Tahiri, deputet i PDK-së. Fotografi nga arkivi.
Arian Tahiri, deputet i PDK-së. Fotografi nga arkivi.

Nisma për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është dërguar për mendim në Qeverinë e Kosovës, u bë e ditur pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit të legjislaturës së 11-të.

Lidhur me aktgjykimin dënues të 16 shtatorit ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Kryesia është pajtuar që të hënën e 28 shtatorit të dalë me një deklaratë të përbashkët.

Më 21 shtator, Partia Demokratike e Kosovës - forca e dytë politike e dalë nga zgjedhjet e qershorit - dorëzoi në Kuvend projektligjin.

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Sipas Arian Tahirit nga PDK-ja, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është zotuar që të angazhohet që nisma të trajtohet me shpejtësi nga ekzekutivi.

“[Kryetarja e Kuvendit, Albulena] Haxhiu u zotua se personalisht ajo do të angazhohet dhe do të komunikojë me Kurtin që të trajtohet me urgjencën e nevojshme”, tha ai pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit.

Haxhiu, ndërkaq, sqaroi se Qeveria ka kohë 30 ditë për ta shqyrtuar nismën, por u zotua se do ta adresojë sërish çështjen, që ekzekutivi ta trajtojë me prioritet, duke shtuar se "tani i kemi ditët e numëruara" pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo ju referua 6 tetorit - datës së fundit kur deputetët duhet të zgjedhin presidentin e ri vendit, pasi në të kundërtën, tha Haxhiu, vendi do të shkojë në zgjedhje.

"Kur flasim për vendimin në Hagë, nuk i ndihmojnë atyre në Hagë që ne me vetëdije të plotë, pa kokëçarje e çojmë vendin në zgjedhje. Mendoj që ka hapësirë të bëhemi bashkë dhe ta procedojmë një emër për president", tha ajo.

Por, për Tahirin e PDK-së, pritoritet është çështja e aktgjykimit në Hagë dhe madje tha se në takim nuk është diskutuar për presidentin. Ai madje tha se vendimi i 16 shtatorit nuk duhet të lidhet me tema politike.

“Rrethanat që janë dhe jemi kërkohet përgjegjësi kombëtare, politike dhe karshi kësaj, ne jemi duke thirrur në unitet kombëtar dhe politik”, tha Tahiri.

Partia Aleanca tha se mbështet nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit dhe çdo nismë që ndihmon në lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, që u dënuan për krime lufte nga shkalla e parë e mekanizmit të drejtësisë në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale.

​
XS
SM
MD
LG