Ndërlidhjet

Një i dyshuar qëllohet për vdekje në SHBA pasi sulmoi zyrën e FBI-së


Një pamje e përgjithshme e zyrës të FBI-së në Miramar, Florida, SHBA.

Autoritetet në SHBA po hetojnë motivet mbi ngjarjen ku një njeri i armatosur u përpoq të depërtonte në zyrën e FBI-së në Cincinnati dhe mbeti i vrarë në një shkëmbim zjarri – në një shpërthim dhune mes paralajmërimeve të FBI-së se agjentët federalë mund të përballeshin me sulme pas kontrollit në shtëpinë e Donald Trump.

Autoritetet federale po shqyrtojnë nëse personi i armatosur, 42-vjeçari Ricky Shiffer, kishte lidhje me grupe ekstremiste të ekstremit të djathtë si “Proud Boys”.

Shiffer besohet të ketë qenë në Uashington në ditët përpara të sulmeve të 6 janarit 2021 dhe mund të ketë qenë në Kongres atë ditë, sipas zyrtarit që po heton çështjen, i cili nuk u lejua të diskutonte hetimin publikisht dhe foli me kusht të anonimitetit.

Shiffer nuk u akuzua për asnjë krim në lidhje me sulmin e 6 janarit, tha zyrtari.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për një rritje të kërcënimeve kundër agjentëve federalë pas kontrollit të FBI-së të hënën në pronën e Trump në Mar-a-Lago në Florida. Mbështetësit e ish-presidentit janë shprehur kundër bastisjes, duke akuzuar FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë për përdorimin e sistemit ligjor si armë politike.

Të mërkurën, drejtori i FBI-së, Christopher Wray, denoncoi kërcënimet e bëra kundër agjencisë që nga bastisja në rezidencën e Trump, duke i quajtur ato “thellësisht shqetësuese për të gjithë amerikanët”.

Ai tha se zyrtarët kishin ndjekur një sërë postimesh shqetësuese në mediat sociale që kërcënonin të përdornin dhunë kundër agjentëve federalë.

Në ngjarjen e ndodhur në Cincinnati, zyrtarët thanë se Shiffer u përpoq të shkelte zonën e kontrollit të vizitorëve në zyrën e FBI-së të enjten dhe u largua kur agjentët u përballën me të. Ai u pikas më vonë nga një polic shtetëror dhe qëlloi me armë ndërsa oficeri e ndiqte, deklaroi togeri Nathan Dennis, një zëdhënës i Patrullës së Autostradës së Ohajos.

Shiffer përfundimisht doli nga makina e tij në një rrugë rurale dhe shkëmbeu zjarr me policinë dhe u plagos, tha Dennis. Autoritetet u përpoqën të negocionin me të, por ai u qëllua dhe u vra pasi qëlloi me armë drejt oficerëve.

Shiffer ishte një republikan i regjistruar që votoi në zgjedhjet paraprake të vitit 2020 nga Columbus, Ohio, dhe në zgjedhjet e përgjithshme të 2020-ës nga Tulsa, Oklahoma, sipas të dhënave publike.

Që nga kërkimi në Mar-a-Lago, përdoruesit e Gab, një faqe e mediave sociale e njohur për supremacistët e bardhë dhe antisemitët, kanë paralajmëruar se po përgatiten për revolucion të armatosur. Zyrtarët federalë kanë ndjekur gjithashtu kërcënimet e dhunës kundër agjentëve federalë në Gab dhe faqe të tjera.

XS
SM
MD
LG