Një person ka vdekur dhe të paktën pesë të tjerë janë plagosur, disa prej tyre rëndë, pas të shtënave me armë zjarri në veri të Zvicrës, njoftoi policia vendase të dielën.
“Po vazhdon kërkimi për autorët, identiteti i të cilëve aktualisht nuk dihet”, tha policia në X, duke shtuar se motivet dhe rrethanat e sakta të incidentit ende nuk dihen.
Policia nisi atë që e cilësoi si “operacion në shkallë të gjerë” për kapjen e autorëve pas incidentit në Aarau, në veri të Cyrihut.
Një gazetar i AFP-së pa forca të armatosura të policisë të dislokuara në autostradë deri në 30 kilometra nga vendi i të shtënave.
Gazeta zvicerane Blick raportoi se të shtënat ndodhën para orës 03:00, në periferi të festivalit Aarauer Rave.
Rreth 3.500 njerëz morën pjesë në festën vjetore të muzikës tekno, e cila u zhvillua nga ora 15:00 të shtunën deri në orën 02:00 të dielën.
Zëdhënësja e policisë, Vanessa Rumpold, citohet nga gazeta të ketë thënë se të shtënat ndodhën në hipodromin ku po mbahej aktiviteti.
“Brenda një grupi të madh njerëzish u qëlluan disa herë”, shtoi ajo.
Dëshmitarët i thanë Blickut se të shtënat ndodhën rreth orës 02:30, ndërsa festa po vazhdonte, dhe se shumë njerëz u strehuan në një palestër aty pranë. Fillimisht, pjesëmarrësit e festës menduan se bëhej fjalë për fishekzjarrë.
Sipas raportimeve të mediave, në kryeqytetin e kantonit Aargau u angazhua një helikopter i ushtrisë, si dhe një numër i madh policësh, ekipe të shpëtimit dhe ekipe mjekësore.
Zvicra ka një nga normat më të larta të posedimit të armëve në Evropë, megjithëse të shtënat e dhunshme janë të rralla.
Në vitin 2019, vendi miratoi rregulla më të rrepta për kontrollin e armëve.