Ndërlidhjet

FMN: Normat e interesit do të mund të bien në nivelet para COVID-it


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Normat e interesit në ekonomitë e mëdha pritet të bien në nivelet para pandemisë së koronavirusit, për shkak të produktivitetit të ulët dhe plakjes së popullsisë, ka thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar në parashikimet e fundit.

Ky institucion ka thënë se rritja e çmimeve të huamarrjes pritet të jetë “e përkohshme”, pasi inflacioni i lartë të vihet nën kontroll.

Bankat Qendrore në Shtetet e Bashkuara, Mbretëri të Bashkuar, Evropë, dhe vende tjera, i kanë rritur normat e interesit për të luftuar rritjen e çmimeve, që ndryshe njihet edhe si inflacion.

Në Mbretëri të Bashkuar, inflacioni është në nivelin më të lartë në gati 40 vjet, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe produkteve ushqimore.

Një numër faktorësh janë duke ndikuar në rritje të inflacionit, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë, e cila ka ndikuar në rritje të çmimeve të energjisë.

“Kur inflacioni të vihet nën kontroll, Bankat Qendrore të ekonomive të avancuara, do të mund të lehtësojnë politikat monetare dhe të ulin normat e interesit në nivelet para pandemisë”.

Ky institucion me bazë në Uashington, ka thënë se plakja e popullsisë do të jetë, po ashtu, një faktor që ndikon në ulje të inflacionit.

Duke sqaruar pse është përmendur ky fakt, George Godber, manaxher në kompaninë Polar Capital, ka thënë se ata kanë tendencë të shpenzojnë më pak.

“Shpenzimet që bëjnë njerëzit kur janë në të 20-at, 30-at dhe 40-at e tyre, janë më të lartat, ndoshta për shkak të blerjes së patundshmërisë, krijimit të çifteve, blerjes së makinës apo çfarëdo tjetër, dhe me kalimin e kohës ulen shpenzimet dhe konsumi”, ka thënë ai për transmetuesin britanik BBC.

Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.

XS
SM
MD
LG