Ndërlidhjet

Norvegjia do t’ua ndalojë hyrjen shumicës së turistëve rusë


Kufiri Norvegji-Rusi. (Fotografi nga arkivi)
Kufiri Norvegji-Rusi. (Fotografi nga arkivi)

Norvegjia do të vendosë kufizime shtesë ndaj turistëve rusë, për shkak të luftës në Ukrainë, tha të enjten Ministria e Drejtësisë e vendit nordik.

Hyrja do të jetë e ndaluar pothuajse për të gjithë turistët rusë, sipas Ministrisë.

Norvegjia, anëtare e NATO-s, e ndan një vijë kufitare gati 200 kilometra të gjatë me Rusinë në Arktik.

Ajo vendosi kufizimeve ndaj turistëve rusë për herë të parë në vitin 2022, pasi Moska e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës.

“Vendimi për ashpërsimin e rregullores së hyrjeve, është në përputhje me qëndrimin e Norvegjisë, për të qëndruar përkrah aleatëve dhe partnerëve në përgjigjen e tyre ndaj luftës agresore dhe të jashtëligjshme të Rusisë kundër Ukrainës”, tha ministrja e Drejtësisë e Norvegjisë, Emilie Enger Mehl.

Qytetarëve rusë, qëllimi i të cilëve është turizmi dhe udhëtimet e tjera jothelbësore, do t’u ndalohet hyrja. Përjashtime mund të ketë në rastet siç janë, vizitat te familjarët e ngushtë që jetojnë në Norvegji, sipas Ministrisë.

Vendimi i ri do të hyjë në fuqi më 29 maj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG