Ndërlidhjet

Presidentja e Hungarisë: Do të bëjmë çmos që Kosova të marrë liberalizimin e vizave


Presidentja hungareze, Katalin Novak.
Presidentja hungareze, Katalin Novak.

“Ne do të bëjmë çdo gjë që kemi mundësi që Kosova të marrë liberalizimin e vizave”, ka deklaruar presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, gjatë vizitës së saj zyrtare, më 13 shtator, në Prishtinë.

Në konferencën e përbashkët pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Novak ka thënë se vendi i saj do të luajë rol aktiv për të siguruar paqe dhe se objektivi i tyre është stabiliteti, “ashtu që të mos ketë më luftë në Evropë”.

“Kanë kaluar 20 vjet prej përfundimit të luftërave në Ballkan, nuk është edhe shumë larg, ndërsa tani kemi luftën në Ukrainë dhe është tejet me rëndësi që kjo luftë të shmangë Evropën”, është shprehur presidentja e Hungarisë.

Ndërsa, presidentja Osmani, ka thënë se shpreson që të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës gjatë kryesimit të Çekisë me Presidencën e BE-së.

Sipas Osmanit , ka ardhur koha që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian të ngriten në një nivel më të lartë dhe se “Kosova këtë vit do të aplikojë për statusin e vendit kandidat”.

Novak para vizitës në Prishtinë, ka qëndruar në Bukuresht, Beograd dhe Zagreb.

Gjatë samitit të Procesit Bërdo-Brioni, më 12 shtator, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave.

Sipas tij, kjo thirrje është edhe pjesë e konkluzioneve që u miratuan pas samitit të së hënës.

Ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

Kosovës i janë vendosur dhjetëra kritere, edhe shtesë, të cilat, sipas të dyja palëve, janë plotësuar. Megjithatë, nga viti 2018, shtetet e BE-së nuk kanë arritur pajtim për t’iu mundësuar kosovarëve lëvizje të lirë.

Rezerva të mëdha kanë shprehur sidomos Franca dhe Holanda.

Aktualisht, Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) të nënshkruar me BE-në.

Kjo marrëveshje kontraktuale - e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian - është nënshkruar në vitin 2014, ndërsa ka hyrë në fuqi më 2016.

XS
SM
MD
LG