Numri i të vdekurve nga një sulm me dronë i Rusisë gjatë natës në distriktin Buça të Ukrainës është rritur në 37, ndërsa operacionet e shpëtimit po vazhdojnë mes frikës se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej.
Tymur Tkachenko, një zyrtar i lartë i administratës së distriktit, tha në kanalin e tij në Telegram se “numri i të vdekurve në distriktin Buça është rritur në 37”, duke shtuar se ekipet e shpëtimit dhe shërbimet përkatëse po e vazhdojnë punën në vendngjarje.
Autoritetet vendase thanë se sulmi me dronë i së premtes në rajonin e Kievit shkaktoi një zjarr të madh dhe shpërthime në një magazinë aty pranë, që besohet të jetë shkaku kryesor i viktimave.
Tkachenko tha se dhjetëra persona, përfshirë fëmijë, u plagosën në sulm, i cili shkaktoi një zjarr të madh që u përhap në ndërtesat e banimit në fshatin Mila.
Më herët, ai kishte thënë se numri i të vdekurve mund të mos ishte përfundimtar dhe shprehu “ngushëllimet e tij të sinqerta për familjet dhe të dashurit” e të prekurve.
Sipas Tkachenkos, në mesin e të vdekurve ishte edhe kreu i komunitetit të Dmitrivkës në distriktin Buça, Taras Didych. Zyrtari i distriktit e cilësoi atë si një “humbje të madhe” për rajonin.
Tkachenko tha se në Dmitrivka është ngritur një shtab operacional për t’u siguruar ushqim dhe mbështetje tjetër banorëve të rajonit të prekur.
Top zjarri në qiell
Disa pamje që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë një shpërthim, i pasuar nga topa zjarri që ngrihen në qiell.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha në një deklaratë se ka nisur një hetim për të shqyrtuar vendosjen dhe magazinimin e dyshuar të lëndëve shpërthyese pranë zonave të banuara.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se më shumë se 300 punonjës të shërbimeve emergjente po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.
“Ka pasur një goditje në magazinë, e pasuar nga një shpërthim. Fatkeqësisht, ka dëme të konsiderueshme në infrastrukturën përreth – ndërtesat e banimit, një konvikt për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara janë dëmtuar”, tha Zelensky.
Më herët, kryeministri ukrainas, Serhiy Koretsky, kritikoi zyrtarët për magazinimin e materialeve shpërthyese pranë zonave të banuara. Ai tha se bërja e gabimeve të tilla përbënte “neglizhencë kriminale”.
Në korrik, një incident i ngjashëm ndodhi në rajonin Vishnevë të Kievit, ku një sulm rus shkaktoi shpërthime në një magazinë, duke vrarë nëntë persona dhe dëmtuar më shumë se 280 shtëpi.
Zelensky tha se kishte dëgjuar për deklaratën e kryeministrit dhe se “ata që e lejuan këtë duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre”.
Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk kërkoi mbështetje ajrore për Ukrainën përballë “përshkallëzimit” të vazhdueshëm nga Rusia.
Në një postim në rrjetet sociale, Tusk tha se “përshkallëzimi nga ana e Rusisë po përparon”, duke shtuar se “Ukraina ka nevojë për mbështetje më të madhe ajrore, e cila është gjithashtu thelbësore për sigurinë tonë”.
Kryeministri polak tha se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë, duke e cilësuar përgatitjen për “skenarë të ndryshëm” si “detyrë për të gjithë Evropën”.
“Ne nuk mund të përjashtojmë provokimet nga Rusia kundër njërit prej anëtarëve të NATO-s”, paralajmëroi ai.