Autoritetet i kanë hedhur poshtë të martën dyshimet se mund të ketë varr masiv në objektin e një ish-shkolle në Obiliq, duke thënë se në gropën e zbuluar në bodrumin e saj dyshohet se ishin kultivuar bimë narkotike.
Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se është konstatuar në këtë objekt nuk ka ndonjë dyshim për varr masiv, pas dyshimeve fillestare për një të tillë.
Sipas tij, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës ishte në vend të ngjarjes dhe erdhi në përfundim se nuk kishte ndonjë dyshim për varr masiv në këtë lokacion.
Këtë e konfirmoi për REL-in edhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Thaçi shtoi se përveç kultivimit të bimëve narkotike, nuk dyshohet për ndonjë gjë tjetër.
“Është konstatim se këtu ka pasur kultivim të bimëve narkotike, sipas ekspertëve të anti-drogës”, tha Thaçi për REL-in.
Më herët, vetë Thaçi kishte thënë për REL-in se brenda ish-shkollës teknike ishte zbuluar një gropë e madhe, thasë të varur dhe se ka dyshime se "për një varr masiv".
Objekti i shkollës, sipas kryetarit, ka qenë i uzurpuar që nga paslufta nga një familje serbe.
Sipas tij, tani komuna e ka kthyer objektin nën posedimin e vet dhe gjatë pastrimit fillimisht kishte gjetur një ambulancë të strukturave paralele serbe para dy muajsh.