Ndërlidhjet

OBSH: “Nuk është koha për relaksim” nga koronavirusi dhe gripi stinor


Dozë vaksine kundër koronavirusit. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Dozë vaksine kundër koronavirusit. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për vigjilencë teksa po rritet numri i rasteve me koronavirus dhe grip stinor në Evropë.

“Kjo nuk është kohë për relaksim”, ka thënë drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge, në një konferencë për media, duke iu referuar afrimit të stinës së dimrit.

Të 53 shtetet që përfshin OBSH-ja në Evropë, përfshirë Rusinë dhe Azinë Qendrore, janë sërish epiqendër e pandemisë së koronavirus, pasi në to janë regjistruar 60 për qind të rasteve në nivel global, ka thënë Kluge.

Në të njëjtën kohë, rastet me grup stinor janë duke iu afruar pikut.

Në këtë valë të re të koronavirusit nuk është duke u rritur numri i vdekjeve apo edhe i shtrimit të pacientëve në kujdes intensiv, prandaj OBSH-ja e ka përmendur rëndësinë e vaksinimit.

“Vaksinimi mbetet një prej mënyrave tona më efikase kundër grupit stinor dhe koronavirusit”, ka thënë Kluge, duke u bërë thirrje njerëzve që të marrin dozat përforcuese sa më shpejt që është e mundur.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.

XS
SM
MD
LG