Ndërlidhjet

OKB bën thirrje për embargo të armëve në Mianmar


Ushtria në Mianmar.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje për vënie të embargos së armëve në Mianmar.

Kjo thirrje është pjesë e një rezolute jodetyruese që dënon juntën ushtarake në shtetin e përfshirë nga dhuna, transmeton agjencia e lajmeve Associated Press.

Rezoluta është miratuar të premten nga 190 shtete, ndërsa 36 kanë abstenuar, përfshirë Kinën, aleaten kryesore të Mianmarit.

Vetëm Bjellorusia ka votuar kundër rezolutës.

Kjo rezolutë ka ardhur në ditën e njëjtë kur Këshilli i Sigurimit ka mbajtur bisedime jozyrtare për situatën në Mianmar, ku ushtria përmes një puçi ka rrëzuar më 1 shkurt lideren civile Aung San Suu Kyi.

Autoritetet ushtarake të Mianmarit kanë ngarkuar lideren e rrëzuar nga pushteti Aung San Suu Kyi me akuza për korrupsion.

Suu Kyi është akuzuar se ka pranuar para të gatshme dhe ari përmes ryshfetit dhe përballet me 15 vjet burgim nëse shpallet fajtore.

Ajo përballet edhe me gjashtë akuza tjera të lidhura për importim të paligjshëm të radio-lidhjeve dhe për nxitje të trazirave publike.

Ajo është arrestuar më 1 shkurt, kur ushtria ka marrë pushtetin përmes puçit.

Ushtria ka fituar pushtetin duke thënë se zgjedhjet e mbajtura vitin e kaluar - të fituara nga Suu Kyi - janë manipuluar.

Mirëpo vëzhgues të pavarur zgjedhor kanë thënë se zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të drejta, dhe akuzat ndaj saj janë konsideruar të motivuara politikisht.

XS
SM
MD
LG