Ndërlidhjet

OKB e shqetësuar për ekzekutimet e pretenduara nga talibanët


Militantët talibanë në Afganistan.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se janë “shumë të shqetësuara” për një video në të cilën duket se shihen militantët talibanë duke ekzekutuar anëtarët e një grupi kryengritës afgan.

Në këtë video, e cila është shpërndarë gjithandej nëpër rrjetet sociale, shihen dy grupe të njerëzve – disa të Frontit Kombëtar të Rezistencës, grup që kryesisht operon në Luginën e Panjshirit – të cilët janë me duar të lidhura mbrapa shpinës, kur qëllohen me pushkë automatike nga luftëtarët talibanë.

“Shumë të shqetësuar për dyshimet rreth ekzekutimeve jashtëgjyqësore në Panjshir. Duke rikujtuar obligimet ndërkombëtare për të drejta të njeriut, bëj thirrje për hetim të plotë dhe që nga përgjegjësit të kërkohet llogari. Jam duke vëzhguar nga afër situatën”, ka thënë Richard Bennett, raportues special i Kombeve të Bashkuara për Afganistanin.

Agjencia e lajmeve AFP, ka cituar një zëdhënës taliban të ketë thënë se autoritetet janë duke hetuar këtë çështje.

Më herët gjatë javës, talibanët kanë thënë se kanë vrarë të paktën 40 luftëtarë të Frontit Kombëtar të Rezistencës në Panjshir.

Sibghatullah Ahmadi, zëdhënës i këtij grupi, i ka konsideruar vrasjet “krime lufte” dhe i ka bërë thirrje misionit të OKB-së në Afganistan që të “përmbushë obligimet, jo vetëm për ata që janë të shqetësuar, por edhe që të inkurajojë banorët që të përmendin talibanët, të dënojnë krimet e tyre dhe t’i bëjnë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të marra masa të menjëhershme”.

Zyra e OKB-së për Afganistanin ka akuzuar talibanët për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut, prej kur militantët kanë marrë pushtetin në gusht të vitit 2021, në kohën kur misioni ushtarak ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është larguar nga shteti.

XS
SM
MD
LG