Një sulm i ri me dronë në centralin e energjisë në Zaporizhja të Ukrainës, ka rritur rrezikun për “aksident të madh bërthamor”, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike.
Rusia ka thënë se Ukraina qëndron pas sulmit, në të cilin janë plagosur tre persona.
Ukraina, në anën tjetër, e ka mohuar përfshirjen.
Ky central bërthamor, që kontrollohet prej Rusisë, dhe ka gjashtë reaktorë, është në vijën e frontit të konfliktit Rusi-Ukrainë.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka paralajmëruar disa herë kundër sulmeve të tilla.
Shefi i kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara, Rafael Grossi, ka thënë se sulmi i së shtunës me dronë ka qenë “ i pamatur” dhe “përshkallëzim masiv i sigurisë bërthamore”.
Centrali në Zaporizhja, në jug të Ukrainës, është më i madhi në Evropë.
Brenda centralit bërthamor ukrainas, të zaptuar nga Rusia
Kjo foto është një nga seria e imazheve të publikuara nga media shtetërore ruse më 4 mars që tregojnë funksionimin e brendshëm të uzinës gjatë kohës nën pushtimin rus.
Fotot nga brenda uzinës u publikuan para takimit ndërmjet presidentit rus, Vladimir Putin, dhe shefit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, më 6 mars.
Numri aktual i personelit në objekt besohet të jetë më pak se një e treta e numrit që ishte para pushtimit.
Rreth 120 punëtorë ukrainas që refuzuan të pranonin nënshtetësinë ruse dhe të nënshkruanin kontrata me një kompani shtetërore ruse të energjisë, thuhet se u pushuan nga puna në shkurt.
Centrali bërthamor i Zaporizhjas, aktualisht, nuk po prodhon energji elektrike, por reaktorët e tij kërkojnë ftohje të vazhdueshme të administruar nga specialistë të trajnuar për të shmangur rrezikun nga një shkrirjeje bërthamore.
Objekti ukrainas u kap nga forcat ruse që avanconin, vetëm disa ditë pasi nisi pushtimi në shkallë të plotë nga Kremlini në Ukrainë më 24 shkurt 2022.
Në betejën për kontrollin e centralit të Zaporizhjas, disa ndërtesa pësuan dëmtime dhe një mur i jashtëm i reaktorit u shpua nga një predhë.
Detajet nga diskutimi gjatë takimit me dyer të mbyllura ndërmjet Grossit dhe Putinit më 6 mars, janë të paqarta, përderisa shefi i Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore bëri një postim në Twitter që thjesht njoftonte një "shkëmbim të rëndësishëm" në lidhje me ZNPP-në.
Grossi më parë ka bërë thirrje për "përmbajtje maksimale ushtarake" pasi disa shpërthime u raportuan pranë uzinës në fund të muajit të kaluar, për të cilat Kremlini fajësoi Ukrainën. Kievi deri më tani nuk u është përgjigjur akuzave.
Forcat ruse e kanë marrë kontrollin e tij pak pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, e cila e ka një ekip ekspertësh në Zaporizhja, e ka konfirmuar “ndikimin fizik të sulmeve me dronë” në central, përfshirë në njërin prej reaktorëve.
Administrata e instaluar prej Rusisë brenda centralit ka thënë se nivelet e rrezatimit janë normale dhe se nuk është shkaktuar dëm serioz.
Mirëpo Grossi e ka përmendur që janë regjistruar të paktën “tri sulme direkte” në reaktorin kryesor.
“Kjo nuk mund të ndodhë”, ka thënë ai.
“Askush nuk mund të përfitojë diçka prej sulmeve në objekte bërthamore. Është një jo e madhe”.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.