Ndërlidhjet

Oligarku më famëkeq i Moldavisë “ka qenë në SHBA” pavarësisht sanksioneve


Vladimir Plahotniuc.

Ai është një nga manjatët më të fuqishëm dhe më famëkeq përgjatë tri dekadave të Moldavisë së pavarur, një njeri i lidhur me “vjedhjen e shekullit” apo zhdukjen e 1 miliard dollarëve nga bankat moldave më 2014.

Vladimir Plahotniuc, i cili ka qëndruar për kohë të gjatë në prapaskenë, ka ikur nga Moldavia qershorin e vitit të kaluar, pas largimit nga parlamenti, në kuadër të ndryshimeve qeveritare të ndërmjetësuara nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë. Që nga ajo kohë, ai i ka ikur vëmendjes së publikut, pasi është raportuar të ketë përdorur emra dhe pasaporta të ndryshme gjatë udhëtimeve.

Në muajin janar, Shtetet e Bashkuara e kanë goditur këtë oligark dhe familjen e tij me kufizime të vizave “për shkak të përfshirjes në korrupsion, që dëmton sundimin e ligjit dhe komprometon pavarësinë e institucioneve demokratike në Moldavi”.

Zyrtarët moldavë dhe ata amerikanë, të cilët kanë njohuri për këtë situatë, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Plahotniuc ka qenë në Shtetet e Bashkuara në disa ngjarje muajt e fundit, dhe të paktën një herë prej kur Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur këto kufizime për viza. Zyrtarët amerikanë kanë folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së ngjarjes.

Këto zhvillime kanë shqetësuar ekspertët kundër-korrupsionit, aktivistët në Moldavi dhe vëzhguesit e huaj, të cilët frikësohen se administrata amerikane është duke dërguar sinjale të këqija për shtetet që tentojnë të luftojnë korrupsionin dhe të përmirësojnë qeverisjen.

“Nëse Vladimir Plahotniuc është vërtet diku në Shtetet e Bashkuara, kjo nuk do të ishte befasuese por dëshpëruese”, ka thënë diplomati, William Hill që ka udhëhequr misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në territorin moldav në vitet 1990 dhe ato 2000.

“Shtetet e Bashkuara kanë humbur kredibilitet dhe mbështetje në mesin e shoqërisë civile të Moldavisë në vjetët e fundit për shkak të jogatishmërisë së vazhdueshme të Uashingtonit për të punuar me Plahotniucun, pothuajse deri në ditët e fundit sa ka qenë në pushtet”, ka thënë ai.

“Mbështetja ndaj Plahotniucut, qoftë në mënyrë të heshtur apo të zëshme, ka ndikuar që shumë persona në Moldavi të konsiderojnë se retorika amerikane për mbështetje të demokracisë dhe reformave, ka të bëjë me interesa të veta dhe gjeopolitikë anti-ruse”.

Zyrtarët moldavë, duke përfshirë presidentin aktual, Igor Dodon, kanë shprehur dyshime për muaj të tërë nëse Shtetet e Bashkuara po bëjnë mjaftueshëm për ta përballur me drejtësi Plahotniucun.

“Ne shohim se amerikanët nuk janë duke u ngutur”, ka thënë Dodon në një intervistë muajin e kaluar, kur është pyetur se ku saktësisht është Plahotniuc.

“Mendoj se kjo do të ndikojë në imazhin e Shteteve të Bashkuara, nëse ata në njërën anë bëjnë marrëveshje të tilla, ndërsa në anën tjetër ende sigurojnë mbulim politik”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

E pyetur për detaje tjera rreth asaj se si Dodon ka njohuri se Platohniuc është në Shtetet e Bashkuara, zëdhënësja e tij, Carmena Sterpu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo gjë është “konfirmuar personalisht për presidentin Dodon” nga ambasadori amerikan, Dereck Hogan.

Kryetari i Partisë Demokratike, Vladimir Plahotniuc (në mes), Andrian Candu (majtas) dhe Pavel Filip në një konferencë për media.
Kryetari i Partisë Demokratike, Vladimir Plahotniuc (në mes), Andrian Candu (majtas) dhe Pavel Filip në një konferencë për media.

Ambasada amerikane në Kishinjev nuk është përgjigjur në pyetjet e nisura me email nga Radio Evropa e Lirë për më shumë hollësi.

Plahotniuc në anën tjetër nuk ka qenë i qasshëm për koment.

“Vjedhja e shekullit”

E kufizuar me Rumaninë dhe Ukrainën, Moldavia është një nga shtetet më të varfëra në Evropë, edhe për shkak të korrupsionit të lartë, trazirave politike dhe destabilizimit të Transdnjestrit, rajon që ka qenë jashtë kontrollit të Kishinjevit prej kur ka nisur lufta, pasi separatistët pro-rusë patën shpallur pavarësinë më 1990.

Në periudhën 2012-2014, më shumë se 1 miliard dollarë, apo gati një e teta e bruto-prodhimit të brendshëm të shtetit, është zhdukur nga bankat më të mëdha të Moldavisë.

Një raport konfidencial i vëzhguar nga Banka Qendrore dhe i hartuar nga kompania hulumtuese ndërkombëtare, Kroll, ka dokumentuar sesi komanitë dhe individët e lidhur me biznismenin, kanë marrë kontrollin e tri bankave më të mëdha në atë kohë.

Në raportin , që më vonë ka rrjedhur dhe është publikuar nga një ligjvënës opozitar, është thënë se biznismeni, Ilan Shor, dyshohet të ketë lëshuar kredi të mëdha për kompanitë e biznismenit përgjatë tre ditëve në nëntor të vitit 2014.

Shor, që aktualisht besohet se është në Izrael, është akuzuar më 2016 dhe më vonë është dënuar për pastrim parash dhe përvetësim, lidhur me këtë vjedhje. Ish-kryeministri, Vlad Filat është shpallur fajtor për korrupsion më 2016, pas akuzave për ryshfet lidhur me këtë rast.

Ai është liruar në fillim të muajit dhjetor, pasi ka qëndruar tre vjet në burg.

Ilan Shor.
Ilan Shor.

Mirëpo përceptimi se ata që kanë qenë mbrapa krimit nuk janë mbajtur përgjegjës, ka ngritur zemërim të madh në mesin e moldavëve.

Plahotniuc ndërkohë, ka qenë në krye të Partisë Demokratike të Moldavisë dhe ka shërbyer si zëvendës-kryeparlamentar në fillim të vitit 2010.

Në qershor të vitit 2019, pas një ristrukturimi politik që ka rezultuar me një koalicion në mes të partive pro-evropiane dhe atyre pro-ruse, përfshirë Partinë Socialiste të Dodonit, Plahotniuc ka ikur nga Moldavia.

Disa ditë më vonë, Rusia ka nisur padi penale kundër tij, duke supozuar se ai ka qenë pjesë e një rrjeti të trafikimit të drogës.

Në muajin dhjetor, Dodon ka deklaruar se Plahotniuc ka qenë duke udhëtuar me pasaportë tjetër, me emrin, Vladimir Novak.

Ndërkohë autoriteti kombëtar kundër korrupsionit, ka dërguar dy kërkesa zyrtare në ambasadën amerikane, duke kërkuar ndihmë për të gjetur vendndodhjen e Plahotniucut.

Në kërkesën e parë, më 4 dhjetor, kërkohet ndihmë e “autoriteteve kompetente amerikane (Departamentit të Drejtësisë, Byrosë Federale të Hetimeve, policisë)” në gjetjen e një individi, emri i të cilit është futur në listë të zezë. Aty po ashtu përmendet se personi “mund të jetë” në dy lokacione në zonën e Majamit, duke përfshirë hotelin, The Setai Miami Beach apo Kullën Portofino, në mes të 5-7 korrikut të vitit të kaluar.

Në kërkesën e dytë, të 10 dhjetorit, është bërë një kërkesë e ngjashme dhe është shtuar emri i dytë, duke supozuar se Plahotniuc ka udhëtuar duke u identifikuar ashtu.

Angela Starinschi, zëdhënëse për byronë kundër-korrupsionit, e njohur edhe si CAN, ka thënë se emrat e vendosur në listën e zezë kanë qenë të shfrytëzuar nga Plahotniuc.

“CNA është duke pritur për një përgjigjje zyrtare nga autoritetet amerikane. Nga kanalet jozyrtare, ne kemi informacione se (individi) është në territorin e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Starinschi për Radion Evropa e Lirë më 3 mars.

Më 13 janar, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka njoftuar për vendosjen e ndalimeve për viza për Plahotniucun dhe familjen e tij.

Agjencitë qeveritare amerikane kanë mohuar të përgjigjen në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, nëse Plahotniuc ka qenë në SHBA.

Departamenti amerikan i Shtetit ka dërguar pyetjen në Departamentin për Siguri Kombëtare, i cili ka refuzuar të përgjigjet, duke cituar shqetësime private.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI), po ashtu nuk është përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, një zyrtar i Qeverisë amerikane ka konfirmuar se Plahotniuc ka qenë në Shtetet e Bashkuara në javët e fundit, ndonëse nuk është bërë e qartë nëse ai ka qenë në territorin amerikan kur ka folur zyrtari më 4 mars.

Një tjetër person ka raportuar ta ketë parë Plahotniucun, duke marrë pjesë në darkë, në një restorant në Majami të Floridas, në fund të muajit janar.

Të dy individët kanë folur në kushte anonimiteti.

“Për aq sa di unë, Plahotniuc është në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Andrian Candu, ish-kryetar i parlamentit, për Radion Evropa e Lirë më 4 mars.

“Kjo nuk duhet të jetë befasi për askënd”.

Kyle Parker, që dikur ka qenë në krye të Komisionit të Helsinkit, agjenci qeveritare e SHBA-së, që monitoron të drejtat e njeriut, ka thënë se Qeveria amerikane ka një varg politikash që shënjestrojnë kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar në gjithë botën: ndalimin e vizave nga Departamenti amerikan i Shtetit, Aktin Magnitsky, një ligj i vitit 2012 që shënjestron zyrtarët rusë që janë korruptuar apo kanë abuzuar me të drejta të njeriut, dhe Aktin e Zgjeruar Magnitsky, që është miratuar më 2016 dhe ka shënjestruar persona me të kaluar të ngjashme kriminale në gjithë botën.

Ai ka thënë lejimi i Plahotniuc që të jetë në SHBA, përbën problem.

“Kjo histori ka ndërlikime më të gjera”, ka thënë Parker, ish-pjesëtar i Kongresit, që ka punuar në hartimin e legjislacionit të Magnitskyt.

“Diçka e tillë është demoralizuese për njerëzit në vendet siç është Moldavia, ku ka probleme kundër korrupsionit të madh zyrtar”.

“Parandalimi i një situate si kjo është ajo çfarë kemi pasur në mendje kur kemi miratuar ligjet Magnitsky pasi nuk duam që ato të jenë parajsa për kleptokratët”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ligji sipas të cilit është ndëshkuar Plahotniuc, njihet si Seksioni 7031, dhe parasheh ndalimin e individëve në Shtetet e Bashkuara, nëse ata janë të përfshirë në “korrupsion të madh” dhe “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

Ky ligj nuk duket se prek të huajt që tashmë janë në Shtetet e Bashkuara.

Ndikimi i Uashingtonit?

Ndonëse emri i Plahotniucut është i njohur në mesin e hulumtuesve dhe ekspertëve kundër-korrupsionit në ish-republikat sovjetike, ai ende nuk ka popullaritet në qarqet më të gjera.

Megjithatë, muajin e kaluar situata ka ndryshuar kur mediat amerikane kanë raportuar se Richard Grenell, ushtruesi i detyrës së Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare, ka përgatitur një seri shkrimesh, të publikuara në të përditshmet amerikane më 2016, duke mbrojtur Plahotniucun.

Organizata hulumtuese e lajmeve në SHBA, ProPublica, ka raportuar se Grenell, nuk ka treguar se ai është paguar nga Plahotniuc për punën që ka bërë, dhe nuk ka regjistruar këtë veprim në Aktin për Regjistrim të Agjentëve të Jashtëm (FARA), që funksionon në kuadër të Departamentit të Drejtësisë.

Një përfaqësues i Grenellit, i cili më vonë është bërë ambasador amerikan në Gjermani dhe përfaqësues për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka bërë të ditur për ProPublica se për çfarë pune konsultuese është paguar Grenell atëbotë, mirëpo ai ka thënë se Grenell nuk ka regjistruar këtë aktivitet në FARA.

Valeriu Pasa, i cili udhëheq një grup të shoqërisë civile në Moldavi me emrin, WatchDog.MD, ka thënë se prezenca e Plahotniucut në Shtetet e Bashkuara mund të jetë pjesë e përpjekjeve të agjencive amerikane për të mbledhur më shumë të dhëna për pastrimin e parave që është dokumentuar në Moldavi për më shumë se një dekadë.

“Ai mund të jetë një burim jashtëzakonisht i dobishëm për Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Pasa.

“Ai mund të jetë burim shumë i rëndësishëm i informacionit, për skemat e pastrimit të parave, në të cilat ka qenë i lidhur drejtpërdrejt”.

Projekti për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka publikuar më 2014 të dhëna që tregojnë për një skemë disavjeçare, në të cilën kanë qenë të përfshirë politikanë të korruptuar dhe kriminelë që nga Rusia kanë shfrytëzuar para në Moldavi.

Sergiu Tofilat, informator moldav për korrupsion, i cili është zgjedhur si pjesëtar i Këshillit të qytetit Kishinjev vitin e kaluar, ka thënë se problemi më i madh për Moldavinë është se sistemi gjyqësor ka qenë tërsisht i komprometuar nga zyrtarë qeveritarë dhe biznese të korruptuara.

“Ne nuk i dimë arsyet e sakta pse ai është në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Tofilat për Radion Evropa e Lirë.

Do të kishte qenë gjë e mirë nëse mund të kthehet “Plahotniuc në Moldavi dhe të mbahet përgjegjës për aktivitetet kriminale që ka kryer në Moldavi në 15 vjetët e fundit, sa ka qenë në pushtet ose shumë afër pushtetit”.

“Mirëpo për të arritur këtë, neve na duhet një sistem tërsisht i pavarur gjyqësor”, ka thënë ai.

“Nuk ka sistem vërtet të pavarur në Moldavi, andaj nuk ka arsye për ekstradim të Plahotniucut, sepse ai mund t’i ikë drejtësisë”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG