Ndërlidhjet

Përjashtohen nga Olimpiada dy atletë që shkelën rregullat kundër COVID-19


Një grua kalon pranë një reklame për Lojërat Olimpike. Tokio, 8 korrik, 2021.
Një grua kalon pranë një reklame për Lojërat Olimpike. Tokio, 8 korrik, 2021.

Dy xhudistë të Gjeorgjisë janë përjashtuar nga Lojërat Olimpike Tokio 2020, pasi kanë dalë për shëtitje jashtë Fshatit Olimpik, ka raportuar agjencia japoneze e lajmeve, Kyodo.

Organizatorët e Tokio 2020 thanë se dy sportistët kanë shkelur rregullat e vendosura kundër COVID-19.

Ky është rasti i parë i përjashtimit të atletëve që prej se Olimpiada në Tokio nisi më 23 korrik, tha zëdhënësi i komitetit organizativ, Masanori Takaya.

Një zyrtar nga Komiteti Olimpik i Gjeorgjisë, tha se nga Olimpiada janë përjashtuar dy medalistët e bronztë Vazha Margvelashvili, 27 vjeç and Lasha Shavdatuashvili, 29 vjeç. Ky zyrtar tha se dy xhudistët kishin dalë jashtë Fshatit Olimpik për t’u takuar “me një të njohur të tyre” i cili jeton në Japoni.

“Kur ata dolën jashtë Fshatit, askush nuk i ndaloi te dalja. Prandaj, ata menduan se mund të largoheshin nga Fshati Olimpik”, tha ky zyrtar për AFP-në.

“Ata dëshironin që të dilnin në ajër të pastër, të relaksoheshin pas një dite të mundshme të garave”, tha ky zyrtar i cili ka folur në kushte anonimiteti.

Organizatorët e Tokio 2020 thanë më 31 korrik se ata më 29 korrik ndërmorën masa disiplinore ndaj të paktën një pjesëmarrësi në Olimpiadë, por nuk identifikuan personat e përfshirë në këtë rast.

Takaya gjatë një konference për media tha se ky ishte një rast i rëndë i shkeljes së rregullave dhe se shkelësit nuk do të lejoheshin të hynin në ndërtesat e Olimpiadës.

Ndërkaq, zyrtari nga Komiteti Olimpik i Gjeorgjisë tha se dy atletëve u është hequr akreditimi më 29 korrik dhe se ata tashmë janë kthyer në Gjeorgji.

Që të dy atletët e përjashtuar kishin humbur në finale nga dy xhudistë japonezë.

Në Tokio 2020, atletët testohen çdo ditë për COVID-19 dhe ata duhet të respektojnë rregulla strike kundër koronavirusit. Atletët po ashtu duhet të largohen nga Japonia 48 orë pasi kanë përfunduar garimin e tyre në Olimpiadë.

Atletët po ashtu nuk lejohen të përdorin transportin publik dhe mund të largohen nga Fshati Olimpik vetëm kur duhet të marrin pjesë në gara.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG