Ndërlidhjet

Opozita kërkon shkurtimin e fushatës zgjedhore


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Fotografi nga arkivi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u është drejtuar krerëve të partive parlamentare, duke kërkuar që të bien dakord që të shkurtohet në 10 ditë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Përmes një video-mesazhi, Abdixhiku, gjatë të enjtes, kërkoi që, për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, partitë politike ta bartin përballen politike “nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale”.

Kësaj kërkese, sipas Abdixhikut, i është përgjigjur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas kreut të LDK-së, për këtë propozim ende nuk ka marrë përgjigje nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti të cilin e ka ftuar sërish t’i bashkëngjitet kësaj nisme.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka propozuar që fushata të shkurtohet në pesë ditë.

“Qëndrimi i AAK-së, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, është që fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10”, tha Haradinaj.

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit janë zgjedhje të rregullta dhe sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, fushata zgjedhore zgjat 30 ditë.

Javëve të fundit, Kosova ka regjistruar numër të madh të rasteve të vdekjeve dhe infektimeve nga koronavirusi. Vetëm gjatë të mërkurës, në vend janë regjistruar 22 raste të vdekjes dhe 1.894 raste me COVID-19.

XS
SM
MD
LG