Ndërlidhjet

Orbani e uron Putinin për fitoren në zgjedhje


Kryeministri hungarez, Viktor Orban (majtas), dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban (majtas), dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e ka uruar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për fitimin e zgjedhjeve presidenciale, pavarësisht se shumë qeveri perëndimore i dënuan zgjedhjet ruse.

Zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, tha se Orbani e uroi Putinin në një letër në të cilën gjithashtu theksoi se bashkëpunimi mes Hungarisë dhe Rusisë “mundëson diskutime të rëndësishme edhe në tema sfiduese gjeopolitike”.

Bashkimi Evropian, anëtare e të cilit është Hungaria, tha se zgjedhjet ruse u mbajtën “në një mjedis tejet të kufizuar, i cili u përkeqësua po ashtu nga lufta e jashtëligjshme agresore e Rusisë në Ukrainë”.

Sipas Orbanit, ruajtja e dialogut është “kusht thelbësor për arritjen e paqes sa më parë”.

Putin e shpalli fitoren për mandatin e pestë presidencial, pas zgjedhjeve të mbajtura më 15-17 mars, të cilat janë dënuar prej Perëndimit, duke u cilësuar si as të drejta, as të lira.

Besohet që përmes këtyre zgjedhjeve, Putin ka tentuar të fitojë përkrahje për luftën e nisur në Ukrainë dhe politikat e tij gjithnjë e më shtypëse.

Putin, 71-vjeçar, i cili ka udhëhequr në Rusi, qoftë si president, apo si kryeministër prej vitit 2000 – pritet të tejkalojë udhëheqësinë 30-vjeçare të Josef Stalinit, nëse do ta përfundojë këtë mandat të ri.

Kështu, ai do të mund të bëhet lideri rus që ka shërbyer më së gjati në dy shekujt e fundit.

Vëzhguesve të pavarur u është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, për herë të parë në historinë post-sovjetike të Rusisë, kanë thënë ekspertët.

XS
SM
MD
LG