Ndërlidhjet

Osmani bisedon me Abdixhikun rreth sigurisë në vend dhe Asociacionit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e priti të hënën në një takim në zyrën e saj liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, 18 dhjetor 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e priti të hënën në një takim në zyrën e saj liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, 18 dhjetor 2023.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e priti të hënën në një takim në zyrën e saj Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, për të biseduar për sigurinë e vendit dhe draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, njoftoi Presidenca.

“Presidentja Osmani ka falënderuar të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë", thuhet në një njoftim të Presidencës të hënën.

Muajve të fundit, presidentja Osmani e ka akuzuar Serbinë se qëllim ka destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, pasi më 24 shtator një grup i armatosur i serbëve e sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Kosova e ka akuzuar Serbinë për organizimin e atij sulmi, përgjegjësinë për të cilin e mori më vonë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe.

Serbia e ka mohuar çfarëdo përfshirje në atë sulm.

Osmani bisedoi me liderin e LDK-së edhe për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin “ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit.”

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë ua dorëzuan më 21 tetor propozimin për draft-statutin kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti ka thënë se draft-statuti është “i pranueshëm sepse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Ditëve të fundit, drafti u është dorëzuar edhe partive opozitare në Kosovë.

Abdixhiku, sipas njoftimit të Presidencës, ka shprehur shqetësimet e tij rreth përmbajtjes së draft-statutit.

“Janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ftesa për takim u janë dërguar edhe subjekteve të tjera opozitare, njoftoi Presidenca.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë më 13 dhjetor se është i habitur me komentet dhe kritikat që janë duke u bërë për draft-statutin për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar prej zyrtarëve të lartë perëndimorë.

“Mendoj se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara, duke e adoptuar këtë draft, nëse ka pyetje rreth kushtetutshmërisë, siç e kam thënë edhe më herët, po e them sërish, ekziston vetëm një trup që mund të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Hovenier, duke e përmendur se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për kushtetutshmërinë e drafit të propozuar.

XS
SM
MD
LG