Ndërlidhjet

Osmani konfirmon se SHBA-ja do të ndajë vaksina për Kosovën


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara do të ndajnë një numër të konsiderueshëm të vaksinave kundër koronavirusit për Kosovën.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani, ka thënë se ka kërkuar nga presidenti amerikan Joe Biden, më 19 mars, që SHBA-ja të mbështesë Kosovën me vaksina.

Atëbotë Kosova ka qenë vendi i vetëm në Evropë që ende nuk kishte nisur procesin e imunizimit.

“Më 19 prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Deri më 3 qershor, të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 72.637 persona në Kosovë.

Aktualisht Kosova po imunizon popullatën e vet me vaksina të siguruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që synon të ndajë vaksina për vendet e varfra, si dhe nga donacionet e Bashkimit Evropian për Ballkanin Përëndimor.

Më 28 maj, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer.

Megjithatë, nuk është bërë e ditur data e saktë e arritjes së këtyre dozave në Kosovë.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,447 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,243 kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG