Ndërlidhjet

Osmani shtyn zgjedhjet në veri për në prill


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri për 23 prill të vitit 2023.

Në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - zgjedhjet ishte planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës.

Osmani e ka bërë të ditur vendimin pas një takimi që ka pasur me përfaqësuesit e partive politike.

Osmani ka thënë se për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar të premten në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, ka thënë ajo një konferencë për media pas takimit.

Osmani ka thënë se ka kontaktuar Bashkimin Evropian për t’i kërkuar mbështetje për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në veri, por, sipas saj, se BE-ja ia ka bërë të ditur se për shkak të afatit të shkurtër kohor, nuk do të kishte mundësi të merrte pjesë.

“Deri tani asnjë organizatë vendore nuk është regjistruar po ashtu. Pra, këto zgjedhje do të ishin pa vëzhgim ndërkombëtar apo edhe vendor”, shtoi Osmani.

Ditëve të fundit janë raportuar disa incidente në veri të Kosovës.

Për pasojë, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG