Ndërlidhjet

Pa rritjen e prodhimit vendor, masat mbrojtëse të paefektshme


Një fermer duke punuar tokën në Mitrovicë, foto nga arkivi

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës për produktet bujqësore që hyjnë në Kosovë dhe më pas heqjen e kësaj takse tregoi se Kosova përballet me mungesë të kapaciteteve prodhuese, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Kosova, sipas tyre, vazhdon të këtë një sektor të pa zhvilluar mirë të prodhimtarisë e që përballet me një deficit të lartë tregtar.

Kosova vazhdon të importojë gati të gjitha produktet, duke filluar nga ato të konsumit e deri te produktet strategjike, derisa importuesi më i madh në Kosovë mbetet Serbia, ku sipas të dhënave zyrtare janë mesatarisht rreth 400 milionë euro në vit produkte të ndryshme që importohen nga ky shtet.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kontributi i eksporteve në volumin tregtar në vit mbetet shumë i ulët, me rreth 300 milionë euro, kurse importi rreth 3 miliardë euro.

Kompania “Frutex” nga Suhareka është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike. Pronari i saj Shaqir Palushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendosja e taksës do të duhej të bëhej për produktet që Kosova ka kapacitetet të mjaftueshme të mbulojë tregun e vendit.

“Vendosja e taksës nga ana e Kosovës për produktet e caktuara mendoj se nuk është menduar mirë, sepse në fillim është vendosur për më shumë produkte mandej është bërë një ndryshim i numrit të këtyre produkteve që kanë pasur taksë dhe janë mbrojtur edhe disa produkte të cilat ose nuk prodhohen në Kosovë ose që prodhohen fare pak”, thekson Palushi.

Vendimi për aplikimin e masës mbrojtëse për pemë dhe perime, po ashtu, sipas një analize që bëri gjatë kësaj jave Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) konstatoi se kjo masë jo vetëm që ka çrregulluar tregun vendor, por ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në çmimin final të produkteve për kompanitë përpunuese dhe tregtare, lënda e parë e së cilave bie në kategorinë e produkteve të mbrojtura.

Për më tepër, Oda Ekonomike e Kosovës thotë se edhe sipas të dhënave të siguruara nga Dogana e Kosovës lidhur me importin e pemëve dhe perimeve për vitin 2018, del se vendimi në fjalë nuk gjen arsyeshmëri as nga ky aspekt, pasi që nuk është raportuar rritje e importit.

“Edhe sipas statistikave nuk ka pasur vëllim të shtuar të importit për pemët dhe perimet me çka edhe vihet në pikëpyetje nevoja për këtë masë mbrojtëse, së paku jo kaq të shpejtuar dhe pa konsultime paraprake me palët e interesit. Sa për ilustrim, si rezultat i masës mbrojtëse, importi për vitin 2018 për ditët gjatë së cilës është aplikuar masa, krahasuar me ditët e njëjta në vitin 2017 ka shënuar një rënie të lehtë prej 40,000 euro”, thuhet në analizën e OEK.

Njohësi i çështjeve ekonomike Falmur Keqa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se masat mbrojtëse për produktet vendore janë të domosdoshme, por se duhet të analizohen mirë për cilat produkte duhet vënë masë mbrojtëse.

“Është dashur të bëhet një hulumtim më i saktë dhe të vërtetohet se sa ka prodhim në produktet që i është vënë taksë dhe nëse arrihet rezultat që me këtë masë mbrohen këto produkteve dhe i lejohet prodhuesit të zhvillojë veprimtarinë e tyre është çdo gjë në rregull. Por, ndonjëherë e kemi edhe anën e konsumatorit të cilit shumë shpesh për shkak të financave nuk i intereson shumë produkti por kualiteti dhe çmimi, pra shumë herë ballafaqohen interesat e ndryshme në mes prodhuesve importuese, eksportuese dhe konsumatorit”, thekson Keqa.

Komuniteti i biznesit thekson se produktet, “Made in Kosova”, duhet të fuqizohen që të jenë konkurruese edhe me produktet e vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Po ashtu, funksionalizimi i ekonomisë së tregut, përmirësimi i sundimit të ligjit, luftimi i ekonomisë joformale dhe luftës kundër korrupsionit, kompletimi i kornizës ligjore për politikat e reja fiskale, nga përfaqësues të bizneseve konsiderohet se do të ishin stimuluese për zhvillimin e sektorit të prodhimit.

Shaqir Palushi thekson se vendosja e taksave për të mbrojtur disa produkte vendor për të cilat ka prodhim të mjaftueshëm ne vend është i domosdoshëm, por sipas tij, para së gjithash Qeveria e Kosovës duhet të përkrah prodhuesit në mënyrë që këta të fundit që fuqizohen dhe të arrijnë të rrisin kapacitet prodhuese.

“Fatkeqësisht Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për sektorin e prodhimtarisë ndoshta ka një interesim tani për prodhuesit por gjithsesi është vonuar në veçanti kur tani Kosova është nënshkruese edhe e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) dhe Kosovë është e hapur si treg”, thekson ai.

MSA-ja e cila ka hyrë në fuqi që nga muaji prill i vitit 2016 ua hapi dyert bizneseve të Kosovës për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh, por kapacitet e ulëta prodhuese dhe cilësia jo e duhur e produkteve ka bërë që prodhimet Made in Kosova të mos arrijnë të depërtojnë mjaftueshëm në tregun e BE-së.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG