Ndërlidhjet

Pacolli kërkon nga BE-ja anashkalimin e Demarkacionit për heqjen e vizave

  • RFE /RL

Behgjet Pacolli, foto arkiv

Institucionet e Kosovës nuk do ta ratifikojnë versionin aktual të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Këtë qëndrim e ka kumtuar ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli pas takimit që zhvilloi në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Ai ka kërkuar që kushti i Demarkacionit të anashkalohet në këtë fazë, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u hiqen vizat.

Më duket se ua kam bërë të qartë se Demarkacioni si i tillë nuk pritet të ratifikohet në këtë periudhë dhe në periudhat e ardhshme dhe këtë e kanë të qartë secili”, ka thënë Pacolli.

Sipas tij, vizita në Bruksel, ku në agjendë kishte takimet me zyrtarët e lartë të BE-së , ishte një rast i mirë që t’i njoftojë ata me gjendjen reale në Kosovë.

Një nga shqetësimet kryesore për Qeverinë e Kosovës mbetet çështja e miratimit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kusht kryesor i vënë nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave.

Edhe të enjten e kam potencuar kudo që kam qenë, por edhe sot. Tani është një sfidë e cila duhet të tejkalohet. Sigurisht duhet të gjejmë rrugë tjetër dhe më duket se unë e shoh tani se ka hapësirë që të punohet me një alternativë tjetër duke anashkaluar këtë problem”, ka potencuar Pacolli.

Jo që ta anashkalojmë dhe ta lëmë aty, por konsiderojmë se është një sfidë e cila duhet të tejkalohet por jo tani, nuk mund të kalohet tani, pritet momenti i duhur”, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare.

Sipas tij, proceset e integrimeve në BE, për Kosovën nuk duhet të ndalen.

Mos të presin që kjo sfidë të kryhet dhe të ecim përpara. Nëse e bëjmë këtë është gabim shumë i madh edhe i Brukselit edhe i Prishtinës”, është shprehur ai.

Më duket se sot kur përfundova këtë vizitë, më duket se është hapur një perspektivë, është hapur një spirale ku mund të punohet, që në njëfarë mënyre të anashkalohet kjo sfidë dhe sa më shpejtë të vijmë te liberalizimi i vizave”, ka thënë ai.

Nuk mund të them se ajo mund të bëhet për një muaj, dy muaj, tre muaj, por jam i lumtur që është krijuar njëfarë mënyre, është folur për krijimin e një grupi punues, i cili do të gjejë rrugën alternative se si të anashkalohet problemi i tanishëm dhe të ecim përpara”, ka vijuar Pacolli.

Sidoqoftë, Pacolli nuk tha se ka marrë edhe mbështetjen e Brukselit që të paktën përkohësisht të anashkalohet kushti i ratifikimit të Demarkacionit për heqjen e vizave.

Ky kusht (ratifikimi i Demarkacionit), ndoshta është kuptuar sot se nuk ka qenë i domosdoshëm për kushtëzimin për liberalizimin e vizave dhe për këtë kusht, sot jemi duke punuar që të anashkalohet. Të mos hiqet kushti, por të anashkalohet dhe të arrihet deri te synimi ynë”, ka thënë ai.

Një formë të moratoriumit rreth kushtit për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi për një periudhë dy-vjeçare pati kërkuar nga Brukseli edhe ish-kryeministri Isa Mustafa, por kishte marrë përgjigje negative.

Në takimet me zyrtarët e lartë të BE-së dhe shefen e diplomacisë Mogherini, Pacolli ka thënë se është biseduar edhe në lidhje me vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Sigurisht ne jemi shtet dhe ne do të respektojmë të gjitha marrëveshjet që janë diskutuar dhe që janë arritur këtu në Bruksel. E di fare mirë se ky vit dhe viti i ardhshëm do të jenë vite intensive, do të jetë një kohë kur shpresoj shumë që do të përmbyllet me kontratën historike mes Serbisë dhe Kosovës, me kontratën e paqes”, ka nënvizuar Pacolli.

Vizita e Pacollit në Bruksel, pasoi ndalesën e tij para pak ditësh në Podgoricë, ku bisedoi me autoritetet e Malit të Zi në lidhje me çështjen e Demarkacionit të kufirit.

Mirëpo, edhe nga Qeveria e Malit të Zi, Pacolli mori mesazhin se për këtë vend, kjo çështje është e mbyllur dhe nuk mund të ri-negociohet.

XS
SM
MD
LG