Ndërlidhjet

Pagat e larta të deputetëve në një vend të varfër, siç është Kosova, po kundërshtohen nga përfaqësues të shoqërisë civile. Ata thonë se deputetët e Kosovës po marrin paga të larta dhe jomeritore.

Për këtë, organizata jo-qeveritare “PolitiFakte”, ka iniciuar një peticion online, ku kërkon nga Ministria e Financave, që deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës të mos paguhen derisa nuk po arrijnë të kryejnë punën e tyre.

Kuvendi, edhe pse ka mbajtur gjashtë vazhdime të seancës konstitutive, nuk ka arritur të zgjedhë kryeparlamentarin dhe nënkryetarët.

Alban Krasniqi, udhëheqës i kësaj organizate thotë për Radion Evropa e Lirë se derisa deputetët po dështojnë të kryejnë obligimet e tyre si të zgjedhur nga elektorati, atëherë, sipas tij, ata nuk do të duhej të paguheshin.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës, fatkeqësisht, përveç që dështojnë të kryejnë punën, për të cilën janë zgjedhur, ata duke mos krijuar institucionet për të cilat kanë obligim kushtetues, pasi edhe janë betuar që të ruajnë kushtetutshmërinë, nuk e bëjnë këtë, por edhe e dështojnë në shumë aspekte tjera shtetin dhe taksat, duke humbur madje edhe miliona euro në shumë sektorë”, thekson ai.

Për shkak të mosformimit të institucioneve të reja të cilat do të negacionin me Fondin Monetar Ndërkombëtar për ndonjë program të ri, Republika e Kosovës është theksuar se do të humb 16 milionë euro kredi nga FMN-ja.

Po ashtu, për shkak të mungesës së programeve të Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kosova rrezikon që të humbë edhe 50 milionë euro nga Bashkimi Evropian.

Krasniqi thotë se peticioni ka gjetur përkrahjen edhe nga përfaqësues tjerë të shoqërisë civile.

Të 120 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pagës mujore prej rreth 1500 eurosh në muaj, gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre.

Për dy seanca gjatë muajit, ata marrin 240 euro.

Kurse, për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fitojnë shtesa prej 160 eurosh.

Kështu, si tërësi, të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë edhe mëditjet, arrijnë apo edhe e tejkalojnë shumën prej 2000 eurosh.

Jeton Zulfaj nga Lëvizja ‘Fol’, thotë për Radion Evropa e Lirë se pagat e deputetëve janë në nivel të lartë, nëse krahasohen me mesataren e pagës në Kosovë.

Sipas tij, përderisa pagat mujore në Kosovë sillen nga 130 deri në mbi 400 euro, deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të kenë pagë pesë herë më të lartë sesa paga mesatare në vend.

“Përderisa paga minimale dhe paga mesatare në Kosovë vazhdon të mbetet në nivel të ulët, pagat e deputetëve duhet të rishikohen, por edhe të harmonizohen deri diku me popullin që e përfaqësojnë. Po ashtu nuk ka pasur ndonjë rritje ekonomike në Kosovë, që do të mundësonte apo të paktën ta arsyetonte një pagë të tillë të deputetit në Kosovë”, thekson Zulfaj.

Në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, thuhet se përveç të drejtës së kompensimit material në të ardhura mujore, deputetët kanë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit të tyre brenda dhe jashtë vendit me detyrë zyrtare, pastaj të ardhura shtesë për pjesëmarrje në seancat dhe Komisionet e Kuvendit, mbulimin e shpenzimeve për telefona dhe derivate të naftës dhe për punën në trupa të tjerë jashtë veprimtarisë së rregullt.

Ndërkohë, statistikat zyrtare flasin se Kosova, vazhdon të ballafaqohet me shkallë të lartë të varfërisë e papunësisë.

Për vite me radhë nuk ka pasur rritje ekonomike më të lartë se 4 për qind. Derisa, shkalla e papunësisë ka arritur në më shumë se 26 për qind.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG