Ndërlidhjet

Një mësuese padit komunën për mosekzekutimin e pagës


Fotografi ilustuese.
Fotografi ilustuese.

Për mosekzekutimin e pagës për muajin shtator, një mësimdhënëse, e cila është në pushimin e lehonisë, ka paditur Komunën e Drenasit.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.

“Sapo u njoftova se filluan paditë e para kundër Komunës së Drenasit me rastin e ndalesës së pagave ndaj mësimdhënësve edhe pse ndalesa është bërë nga Thesari i Ministrisë së Financave, mirëpo, mësimdhënësit kanë kontrata të lidhura me Komuna, e aq më keq, në rastin konkret, është ndaluar paga një lehonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Në padinë për kompensimin e pagës, të cilën Lladrovci e ka publikuar, paditësja thotë që pavarësisht deklarimit publik që paga nuk i është ndalur nga kjo komunë, ajo e ushtron të drejtën për padi ndaj Drenasit, si punëdhënës i saj.

“... sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, komunat janë të decentralizuara sa i përket çështjes së menaxhimit të buxhetit, rrjedhimisht pagave, MF-ja vetëm bën ekzekutimin e pagave dhe jo ndalesën e tyre”, thuhet në padi.

Në bazë të Ligjit komunat janë punëdhënësit e punëtorëve, në këtë rast, në sektorin e arsimit. Ministria e Financave është autoriteti që ekzekuton pagat, në bazë të listave të dërguara nga secila komunë.

I pyetur nëse ka ndonjë plan nga komunat për të ushtruar padi ndaj ministrisë së Financave, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë që shpreson dhe beson që kjo nuk do të jetë e domosdoshme.

“Jam shumë optimist që sot do të ekzekutohen pagat dhe që do ketë gëzime në familjet e mësimdhënësve”, tha ai.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), organizata kjo që ka thirrur grevën, ka paralajmëruar se do ngrehë padi ndaj Qeverisë së Kosovës.

Qeveria ka ekzekutuar pagat për shërbyesit civil, por jo edhe për mësimdhënësit.

Për mos-ekzekutimin e pagave për sektorin e arsimit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Albelard Tahiri ka ushtruar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Kjo shkelje ligjore është edhe më e rëndë pasi qeveria ka aplikuar standard dhe diskriminim të dyfishtë: e para, nuk ua ka ndalur pagën të gjithë pjesëmarrësve të grevës, por vetëm një pjese të tyre dhe e dyta, ua ka ndalur pagën edhe atyre pak mësimdhënësve të cilët në disa komuna e në disa shkolla brenda tyre, i kanë mbajtur orët mësimore dhe nuk kanë qenë pjesëmarrës në grevë”, ka shkruar ai në Facebok.

Qeveria e Kosovës e arsyeton vendimin për mosekzekutimin e pagave për grevistë duke u thirrur në Ligjin për greva të Kosovës.

Në këtë ligj, përkatësisht në nenin 18, thuhet se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Mësimdhënësit dhe shërbyesit civil kanë qenë në grevë me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj, derisa të hyjë në fuqi Ligji i ri për paga.

Në Kosovë janë rreth 23 mijë mësimdhënës të sistemit parauniversitar.

XS
SM
MD
LG