Ndërlidhjet

Pahor: Nuk pajtohem me idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan


Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha se nuk pajtohet me idenë e ndryshimit të kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pahor i bëri komentet në Prishtinë, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

I pyetur nga gazetarët për një non-paper që ka qarkulluar më herët në media, me pretendimet se ndryshimi i kufijve mund t’i zgjidhë disa çështje të hapura në Ballkan, Pahor tha se ka mendim plotësisht të kundërt me këtë.

“Me ndryshimin e kufijve nuk pajtohem. Qëndrimi im lidhur me këtë është plotësisht i kundërt. Unë dua t’i bind bashkëbiseduesit në Samitin e Bërdos që të vazhdohet me procesin e zgjerimit dhe të reformave. Kjo është një domosdoshmëri historike”, tha Pahor.

Non-paperi që ka dalë në media në muajin prill, pretendohet të jetë hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.

Në të është supozuar se është folur për ndryshimin e kufijve, por një gjë e tillë është mohuar nga vetë Jansha.

Në gjuhën e institucioneve evropiane, non-paper është një dokument joformal, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar.

Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë mohuar se janë në favor të ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha pas takimit me Pahorin se kufijtë e Kosovës dhe rregullimi i brendshëm “janë caktuar njëherë e përgjithmonë në shkurt të vitit 2008” kur Kosova ka shpallur pavarësinë.

Sllovenia, më 17 maj, do të jetë nikoqire e samtit të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi Bërdo-Brioni.

Bërdo-Brioni është një nismë e presidentëve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dy shtete anëtare të BE-së, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe BE-së.

XS
SM
MD
LG