Ndërlidhjet

Netanyahu: Pakti bërthamor ka shfaqur "një tigër të rrezikshëm iranian"


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministri i Jashtëm iranian, Mohamet Javad Zarif, kanë shkëmbyer fjalë të ashpra në Konferencën për Siguri, që është mbajtur në Mynih.

Duke folur për herën e tij të parë në një konferencë të tillë, Netanyahu ka thënë, se Irani përbën kërcënimin më të madh për botën.

Ai i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të luftuar “regjimin” e Teheranit që “kërcënon paqen”.

Ai po ashtu, ka kritikuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, sipas së cilës Teherani duhet të ndalojë programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

“Lehtësimi i sanksioneve nuk e ka bërë më të matur Iranin as në nivelin e brendshëm apo në atë të jashtem. Në fakt vetëm ka nxjerrë në pah një tigër iranian që rrezikon rajonin dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Netanyahu ka thënë se ka “ngjashmëri” në mes të Iranit dhe Gjermanisë naziste, duke thënë se udhëheqësia iraniane dëshiron ta shkatërrojë Izraelin.

Ai ka kërkuar që të bëhet diferencimi në mes të qytetarëve të Iranit dhe regjimit iranian që rrezikon paqen, duke shtuar se nuk ka problem me popullin iranian.

Netanyahu po ashtu ka deklaruar para audiencës e cila përfshinte diplomatë amerikanë dhe evropianë, se Irani është duke zgjeruar ndikimin e tij në Lindjen e Mesme, derisa grupi militant, Shteti Islamik, ka humbur pothuajse të gjithë territorin që e ka zotëruar më parë.

“Ky është zhvillim shumë i rrezikshëm për rajonin tonë” ka thënë ai.

Netanyahu ka paralajmëruar, se Irani nuk duhet “të testojë vendosshmërinë e Izraelit”.

“Ne do të veprojmë nëse është e nevojshme jo vetëm kundër përfaqësuesve të Iranit, po edhe kundër vet Iranit”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif

Ministri i jashtëm iranian, Zarif, ka mbajtur fjalimin e tij disa orë pas deklaratave të Netanyahut.

Duke mos përmendur emrin e Netanyahut, Zarif, ka thënë, se ka qenë dëshmitar i një “cirku karikaturist”, i cili nuk meriton ndonjë përgjigje.

Ai ka vazhduar me pakënaqësitë e vendit të tij për atë se, pse SHBA- ja dhe Izraeli, janë të përfshirë në Lindje të Mesme.
Ai e ka akuzuar Izraelin për represion masiv kundër fqinjëve të tij duke përmendur Sirinë dhe Libaninë.

Marrëdhëniet në mes të Iranit dhe Izraelit janë tensionuar më herët gjatë këtij muaji, kur një aeroplan izraelit është rrëzuar, pas përfundimit të një misioni kundër caqeve siriane dhe iraniane në Siri.

Teherani ka kundërshtuar versionin e Izraelit për këtë ndodhi, duke i cilësuar “qesharake” dhe “gënjeshtra” deklaratat e tilla, dhe duke thënë se, Siria ka të drejtë të mbrojë veten ndaj këtyre sulmeve.

Duke u përgjigjur në pyetjen për marrëveshjen bërthamore, Zarif ka thënë, se Irani do të përgjigjet shumë seriozisht nëse nuk mbrohen interesat e këtij vendi.

Ai ka akuzuar Netanyahun, për siç ka thënë tentim për të prishur marrëveshjen, duke deklaruar se njëjta do të ekzistojë pavarësisht tentimeve të tij iluzioniste”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar Iranin për prishje “të shpirtit” të marrëveshjes bërthamore dhe ka thënë se dëshiron të punojë me aleatët evropianë, për të rregulluar ato që i ka cilësuar “të meta të tmerrshme” të marrëveshjes.

Trump ka kërcënuar se Uashingtoni do të largohet nga marrëveshja, nëse ajo nuk rishikohet deri në muajin maj.

Presidenti iranian, Hasan Rohani ka thënë muajin e kaluar, se Trump dhe adminstrata e tij kanë dështuar në shkatërrimin e paktit bërthamor, pavarësisht tentimeve të tyre dëshpëruese.

Rohani e ka cilësuar marrëveshjen si fitore afatgjatë për Iranin.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG