Ndërlidhjet

Papa Françesku nis konsultimet për reforma në Kishën Katolike


Papa Françesku.
Papa Françesku.

Papa Françesku ka nisur atë që e ka cilësuar si përpjekjen më ambicioze për reforma katolike në 60 vjetët e fundit.

Procesi dyvjeçar për t’u konsultuar me secilin prift në botë, për drejtimin e Kishës Katolike në të ardhmen, ka nisur këto ditë në Vatikan.

Disa katolikë shpresojnë se këto diskutime do të rezultojnë me ndryshime në çështjet si shugurimi i grave, martesat e priftërinjëve dhe lidhjet mes personave të gjinisë së njëjtë.

Të tjerë shqetësohen se ky proces do të dëmtojë parimet e Kishës Katolike.

Ata besojnë se fokusi në reforma mund të tërheqë vëmendjen nga çështjet tjera me të cilat përballet Kisha, siç janë korrupsioni dhe nivelet në rënie të pjesëmarrjes.

Papa Françesku u ka bërë thirrje katolikëve që të mos mbesin të bllokuar në gjërat që ata besojnë, por të “dëgjojnë njëri-tjetrin” teksa ka nisur këtë proces gjatë një meshe të mbajtur në Bazilikën Shën Pjetri.

“A jemi të përgatitur për këtë rrugëtim? Apo shqetësohemi nga e panjohura, duke preferuar që të arsyetohemi si zakonisht, ‘Kjo gjë është e kotë’ apo ‘Këtë e kemi bërë gjithmonë kështu?’” ka pyetur ai.

Më vonë, Papa pritet të shkruajë një këshillë apostolike, duke dhënë pikëpamjet dhe vendimet e tij mbi çështjet e diskutuara.

XS
SM
MD
LG