Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj shtatë drejtorëve të institucioneve arsimore dhe shëndetësore, që funksionojnë në Kosovë sipas sistemit të Serbisë, nën dyshimin se kanë ndikuar në vullnetin e lirë të votuesve.
Sipas njoftimit, masa e paraburgimit u është caktuar personave me inicialet M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M., pasi ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse lirohen në liri, teksa gjykata tha se ekziston rreziku real që nëse ata lihen në liri të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale.
Gjykata po ashtu tha se të pandehurit mund t’i përsërisin veprat penale nëse lihen në liri.
Lista Serbe dhe Serbia reagojnë ashpër ndaj masës së paraburgimit
Lista Serbe e dënoi këtë vendim, duke thënë se bëhet fjalë për “përndjekje dhe frikësim të serbëve dhe serbeve të ndershme”.
Në njoftimin e lëshuar nga kjo parti thuhet se paraburgimi u është caktuar: Lubisha Karaxhiq, drejtor i shkollës fillore “Milladin Mitiq” në Lllapna Sellë; Boban Petroviq, drejtor i Shkollës së Mesme Elektroteknike në Sushicë; Millica Dimiq, drejtoreshë e shkollës fillore“Braqa Aksiq” në Lipjan; Nebojsha Rashiq, drejtor i Shkollës së Mesme të Makinerisë në Preoc; Bratisllav Llaziq, drejtor i Qendrës Klinike-Spitalore në Graçanicë; Mirjana Dimitrijeviq, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë; Sasha Mlladenoviq, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Gushtericën e Ulët.
“Në këto kohë të vështira duhet të tregojmë dinjitet, rezistencë dhe unitet kundër atyre për të cilët asgjë nuk është e shenjtë, dhe të cilët janë të gatshëm që për interesa personale dhe privilegje politike të godasin edhe popullin e tyre”, tha Lista Serbe.
Lidhur me masën e paraburgimit të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë pati reagime edhe në Serbi. Atje, ministri i Shëndetësisë, Zllatibor Lonçar, tha se ky vendim është i motivuar politikisht, si dhe duke theksuar se në mesin e shtatë të arrestuarve janë tre drejtues të institucioneve shëndetësore në Kosovën qendrore.
“Theksoj se Ministria e Shëndetësisë, së bashku me shtetin e Serbisë, do të vazhdojë t’i ndihmojë institucionet shëndetësore serbe në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë edhe më me vendosmëri, dhe se veçanërisht do të kërkojë mënyra për t’i ndihmuar institucionet shëndetësore të prekura”, u tha në njoftim.
Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë pretendoi se masa e paraburgimit u caktua “me urdhër të drejtpërdrejtë politik” të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me ndihmën e Rashiqit.
Në reagim u tha se me këtë veprim po synohet “goditja e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit, dobësimi i Listës Serbe dhe frikësimi i popullatës serbe para fillimit të fushatës zgjedhore”.
Beogradi e cilësoi si “ndërhyrje të papranueshme” të Prishtinës në sistemin arsimor dhe shëndetësor serb në Kosovë.Kosova i vlerëson të paligjshme dhe paralele institucionet që funksionojnë sipas sistemit serb, dhe viteve të fundit i ka mbyllur ato, përveç institucioneve arsimore dhe shëndetësore.
Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha po ashtu se Beogradi është në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke kërkuar lirimin e shtatë të arrestuarve.
Të dyshuarit u arrestuan më 19 maj me urdhër të Prokurorisë Themelore, e cila, siç është bërë e ditur, ka reaguar sipas detyrës zyrtare pas raportimeve mediale lidhur me pretendimet e liderit të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, se Lista Serbe po ushtron presion dhe po i shantazhon përkrahësit e tij.
Prokuroria ka bërë të ditur se personat e arrestuar dyshohet se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme që lidhen me veprën për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Rashiq, i cili është ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, fillimisht më 14 maj tha se rreth 20 persona që e mbështesin atë kanë marrë vendimin largim nga puna, ndërsa në të ardhmen pritet që edhe rreth 40 persona të tjerë të marrin vendim për largim nga puna vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës që vepron me mbështetjen e pushtetit aktual në Serbi, i ka mohuar të gjitha akuzat e Rashiqit dhe ka vlerësuar se ai po përpiqet ta “arsyetojë” humbjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbahen në qershor.
Arrestimet e drejtorëve të institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë, nga Lista Serbe më 20 maj i kanë cilësuar si “të motivuara politikisht” dhe “nën dirigjimin e regjimit në Prishtinë”.
Ndërkohë, në Graçanicë, që gjendet afër Prishtinës, që nga 20 maji po mbahen protesta në shenjë mbështetjeje për drejtorët e arrestuar.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, nga subjektet politike serbe marrin pjesë vetëm Lista Serbe dhe partia e Rashiqit, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Reagimet në Kosovë dhe Serbi për arrestimet
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cilësoi si “alarmante” raportimet për presione ndaj votuesve nga komuniteti serb, duke theksuar se bëhet fjalë për një fenomen që, sipas tij, ka marrë përmasa më të mëdha se kurrë më parë.
Ndërkaq, më herët ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se institucionet e Kosovës do të veprojnë “kundër çdo përpjekjeje për frikësimin e qytetarëve dhe deformimin e vullnetit të tyre politik”, duke garantuar një proces zgjedhor të lirë dhe pa ndikime të jashtme.
Radio Evropa e Lirë (REL) më 18 maj publikoi dëshmi të disa personave që thanë se janë larguar nga puna sepse nuk e mbështesin Listën Serbe, por partinë e Rashiqit.
Ata kishin punuar për dekada në institucionet shëndetësore dhe arsimore të Serbisë në Kosovë, të cilat vitet e fundit udhëhiqen kryesisht nga anëtarë dhe zyrtarë të Listës Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në anën tjetër, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, paralajmëroi se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që, sipas tij, kanë kontribuar në ndalimin e drejtorëve të institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit në Kosovë.
“Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë është e vendosur që të gjithë përgjegjësit për këtë akt antiserb, të trajtohen me ashpërsinë më të madhe, në përputhje me ligjet e Serbisë”, deklaroi Daçiq.
Megjithatë, ai nuk sqaroi se kujt i referohej konkretisht, cilat ligje do të zbatoheshin dhe për çfarë “akti antiserb” bëhej fjalë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha po ashtu se Beogradi po e ndjek nga afër situatën dhe paralajmëroi reagim ndaj, siç u shpreh ai, shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë.