Ndërlidhjet

Paralajmërohet për rrezikim të të drejtave të grave në Afganistan


Një vajzë nga Herati, Afganistan.

Organizata ndërkombëtare Amnesty International ka paralajmëruar se 20 vjet të përparimit në fushën e të drejtave të grave dhe vajzave të Afganistanit, janë duke u rrezikuar, teksa bisedimet e brendshme për paqe janë bllokuar dhe trupat ndërkombëtare largohen nga ky shtet më vonë gjatë vitit.

“Afganistani është nisur drejt një rruge që kërcënon zhbërjen e 20 vjetëve të përparimit për gratë dhe vajzat”, ka thënë Yamini Mishra, drejtore për Azi-Paqësor në Amnesty International.

“Tani është koha që Qeveria afgane dhe partnerët ndërkombëtarë të punojnë për të siguruar të drejtat e grave dhe që përparimi i arritur të mos flaket tutje në bisedimet për paqe me talibanët”.

Amnesty International ka theksuar se në bisedimet për paqe, që kanë nisur në Katar, në shtator të vitit 2020, ka pasur pak përfshirje të grave.

Në delegacionin e Qeverisë afgane me 21 anëtarë, kanë qenë vetëm katër gra, derisa në anën e talibanëve asnjë.

Amnesty International ka vlerësuar se të drejtat e grave janë përmirësuar “dukshëm”, prej rrëzimit të talibanëve nga pushteti më 2001, nga ana e forcave të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara.

Aktualisht në Afganistan shkollohen 3.3 milionë vajza, derisa gratë janë bërë avokate, mjeke, gjyqtare, mësuese, atlete, politikane, gazetare, police, biznismene dhe pjesëtare të ushtrisë.

Tërheqja e forcave ndërkombëtare do të jetë test për forcat afgane të sigurisë, të cilat do të duhet të mbrojnë territorin që kontrollon aktualisht qeveria, pa mbështetje direke ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG