Ndërlidhjet

Parlamenti i Iranit e miraton kabinetin e plotë të presidentit të ri


Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, i drejtohet Parlamentit në Teheran, 20 gusht 2024.
Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, i drejtohet Parlamentit në Teheran, 20 gusht 2024.

Parlamenti i Iranit e ka miratuar të mërkurën kabinetin me 19 anëtarë të presidentit reformist, Masud Pezeshkian, duke e pranuar për herë të parë prej vitit 2001 listën e plotë të ministrave pa e bërë asnjë ndryshim.

Votimi më 21 gusht përfshiu emërimin e diplomatit 61-vjeçar, Abbas Araghchi, në postin e ministrit të Jashtëm të Iranit. Araghchi ishte anëtar i ekipit negociuese që e arriti marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore më 2015.

Pezeshkian, mjek dhe ish-ministër i Shëndetësisë, e mposhti kandidatin ultrakonservator, Saeed Jalili, në balotazhin e 5 korrikut dhe u betua si president në fillim të këtij muaji.

Zgjedhjet e parakohshme për president u thirrën pas vdekjes së presidentit Ebrahim Raisi nga rrëzimi i helikopterit në maj.

Pezeshkian ka bërë thirrje për “marrëdhënieve konstruktive” me vendet e Perëndimit dhe është për ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015, e cila u prish pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja në vitin 2018.

Prej atëherë, ekonomia e dobët e Iranit është përkeqësuar si pasojë e sanksioneve të ashpra.

Pezeshkian ka thënë gjithashtu se i mbështet parimet e republikës islamike dhe ka ngulur këmbë se politikat e vendosur nga lideri suprem Khamenei duhet të ndiqen.

Ai i ka vënë në dyshim metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të shamisë islamike të kokës për gratë, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini më 2022 në paraburgim, e cila ishte arrestuar nga “policia e moralit” për gjoja veshjen e shamisë në mënyrë të papërshtatshme.

Pezeshkian gjithashtu ka theksuar se, derisa ligji për shaminë duhet të zbatohet, “kurrë nuk duhet të ketë sjellje të bezdisshme apo çnjerëzore ndaj grave”.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG