Ndërlidhjet

Shtyrje fizike mes deputetëve në Kuvend gjatë kërkesave për vazhdimin e seancës konstituive

E përditësuar
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 12 gusht 2026.
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 12 gusht 2026.

Përplasjet mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive u përshkallëzuan të mërkurën edhe në shtyrje fizike, ndërsa partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta për mënyrën se si duhet të zhbllokohet procesi i konstituimit të legjislaturës së re.

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kërkuan që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj, pavarësisht se ka kaluar afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërkaq, ka insistuar se para vazhdimit të seancës duhet të arrihet një marrëveshje politike më e gjerë mes partive.

Gjatë përplasjeve në sallën e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e shtyu me duar deputetin e LVV-së, Adnan Rrustemi, ndërsa Ardian Gola i LVV-së ndërhyri mes tyre.

Në një incident tjetër, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, u pa duke e shtyrë deputeten e LVV-së, Arbërie Nagavci. Bytyqi dhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, hodhën edhe letra në drejtim të saj.

Përplasjet zgjatën rreth dy orë dhe ishin kryesisht verbale.

Gjatë tyre, Donika Gërvalla, e cila ndodhej në sallë për aktivitetin “Bashkatdhetarët në Kuvend”, u bëri thirrje deputetëve të PDK-së dhe Aleancës që t’u bashkohen takimeve të thirrura nga LVV-ja për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Ejani në takim”, u tha Gërvalla deputetëve, të cilët brohorisnin: “Thirreni seancën!”.

Në debat u përfshinë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe deputetët Vlora Çitaku, Eman Rrahmani dhe Blerta Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra tha se deputetët do të vazhdojnë të vijnë çdo ditë në Kuvend “për ta kthyer rendin kushtetues”.

Ngërçi lidhet me faktin se Kuvendi ende nuk e ka përfunduar konstituimin pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Rezultatet përfundimtare u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por deputetët nuk arritën ta përfundonin zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

PDK-ja dhe Aleanca thonë se kalimi i afatit nuk e heq detyrimin për vazhdimin dhe përfundimin e seancës konstituive. LVV-ja, në anën tjetër, kërkon që paraprakisht të arrihet marrëveshje për çështjet kryesore politike, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për vazhdimin e seancës është “e drejtë”.

“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj.

Sipas tij, Kushtetuta nuk parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit pas kalimit të afatit 30-ditor.

“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.

Për çështjen e afatit, 14 organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga AVONET-i, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Dehari ka thënë se seanca nuk duhet të vazhdojë pa një marrëveshje politike mes partive.

Në thelb të mosmarrëveshjes mbetet edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm. LVV-ja kërkon një kandidat konsensual dhe jopartiak, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar që posti i presidentit t’i takojë asaj.

PDK-ja ka insistuar që fillimisht të përfundojë konstituimi i Kuvendit, ndërsa AAK-ja ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe e ka fajësuar LVV-në për bllokimin institucional.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund t’i pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.

XS
SM
MD
LG