Ndërlidhjet

Përleshje të reja në Kinë, pavarësisht paralajmërimeve për shtypje të protestave


Momenti i arrestimit të një protestuesi në Shangai të Kinës më 27 nëntor 2022. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Momenti i arrestimit të një protestuesi në Shangai të Kinës më 27 nëntor 2022. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Disa persona janë përleshur me policinë në qytetin kinez, Guangzhou, për të kundërshtuar politikat strikte të shtetit për menaxhim të pandemisë së koronavirusit.

Në disa pamje të publikuara në rrjetet sociale, shihen disa zyrtarë policorë të veshur me pajisje shtesë për t’u mbrojtur nga gjësendet që hedhin protestuesit.

Në një tjetër pamje janë parë njerëzit duke u arrestuar me duar të lidhura.

Të mërkurën, disa zyrtarë të qytetit kanë thënë se kufizimet për pandeminë do të relaksohen në disa distrikte.

Kina ka regjistruar shifra rekorde të numrit të të infektuarve në ditët e fundit.

Sipas postimeve në rrjetet sociale, protestat kanë nisur në orët e vona të së martës dhe kanë vazhduar deri në mëngjesin e së mërkurës.

Këto trazira pasojnë një valë protestash në Kinë përgjatë fundjavës, të nxitura nga një incident që ka ndodhur në rajonin perëndimor, Ksinjiang.

Si pasojë e djegies së një ndërtese kanë vdekur 10 persona.

Shumë kinezë besojnë se politikat për koronavirus kanë kontribuuar në vdekjen e tyre, sepse viktimat nuk kanë mundur të dalin nga banesat e tyre për shkak të masave kufizuese.

Autoritetet, në anën tjetër, i hedhin poshtë këto akuza.

Ky incident ka shtyrë banorët e Pekinit dhe Shangait, por edhe qyteteve tjera të mëdha që të dalin nëpër rrugë, duke kërkuar dhënie fund të politikave për koronavirusin.

Disa kanë kërkuar edhe dorëheqjen e presidentit kinez, Xi Jinping.

Protestat janë ndalur pak ditë pas nisjes, si pasojë e prezencës së madhe policore.

Të mërkurën, agjencia shtetërore e sigurisë në Kinë, ka bërë thirrje për shtypje të “forcave armiqësore”, dhe ka pasur raportime se policia është duke kontaktuar protestuesit dhe është duke i pyetur se ku kanë qenë.

Kina mbetet ekonomia e vetme e madhe në botë që zbaton politikën e zero rasteve me koronavirus.

Autoritetet vendosin masa të ashpra kufizimi dhe karantine edhe në rastet kur ka shpërthime të vogla.

Ndonëse Kina ka zhvilluar vaksinat e veta kundër koronavirusit, ato nuk janë efektive sikurse vaksinat e krijuara me teknologjinë mRNA – sikurse ato që janë krijuar nga kompanitë perëndimore: Pfizer dhe Moderna.

Dy doza të vaksinës së Pfizerit ofrojnë 90 për qind mbrojtje kundër sëmurjes së rëndë apo vdekjes nga virusi, në krahasim me 70 për qind sa ofron mbrojtje vaksina kineze e prodhuesit Sinovac.

Një tjetër sfidë për Kinën është se nuk është imunizuar përqindje e madhe e banorëve.

Konsiderohet që shumë pak të moshuar – të cilët rrezikohen më së shumti nga koronavirusi – kanë marrë dozat e nevojshme të vaksinave.

Në këtë shtet ka shumë pak “imunitet natyral”, të njerëzve që janë infektuar dhe e kanë kaluar virusin.

Kjo nënkupton se variantet e reja mund të shpërndahen shumë më shpejt sesa varianti kryesor i virusit që është përhapur tre vjet më parë.

Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG