Ndërlidhjet

Pesë të vdekur nga virusi H1N1


Vaksina kundër virusit H1N1

Pesë persona kanë vdekur gjatë këtij viti në Kosovë nga gripi, përkatësisht virusi H1N1. Nga ky virus, 13 persona janë të shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkaq nga 1 tetori i vitit 2018, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, janë raportuar gjithsej 24.725 raste të dyshimta me grip.

Me gjithë këto raste, profesionistët shëndetësorë thonë se këto shifra ende nuk janë të përmasave të shpërthimit epidemik.

Sali Ahmeti infektolog, i tha Radios Evropa e Lirë se rastet me grip janë shtuar ditëve të fundit edhe në spitalet rajonale në Kosovë, por edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare, derisa rastet e rënda referohen në qendrën terciare, pra në Klinikën Infektive në QKUK.

“Ndonëse incidencë e shtuar, tash për tash nuk janë përmasa të shpërthimit epidemik më serioz. Në klinikë kemi të shtrirë 13 të sëmurë në gjendje të rëndë, me komplikime kryesisht respiratore e me infeksione pulmonare. Ata janë në monitorim dhe shpresojmë që gjendja e tyre të përmirësohet. Fatkeqësisht kemi humbur 5 persona nga gripi H1N1, e që kanë qenë në moshë relativisht të re, por që kanë pasur edhe sëmundje të tjera përcjellëse”, tha Ahmeti.

Edhe në Klinikën Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pediatri Muharrem Avdiu bëri të ditur se fluksi i fëmijëve me grip është rritur. Ndonëse aktualisht nuk kanë numër të saktë të fëmijëve që kërkojnë ndihmë, Avdiu potencon faktin se për mungesë hapësirë, aktualisht janë vendosur nga dy fëmijë në një shtrat për trajtim mjekësor.

“Mund të thuhet se jemi në epideminë e gripit dhe them se është më i vrazhdë sesa viteve paraprake. Jemi mobilizuar si staf që ta përballojmë këtë fluks. Nuk mund të them se ndonjë fëmijë ka vdekur nga gripi, por ata që janë të ndërlidhura me sëmundje të tjera”, tha Avdiu.

Ndryshe, gjatë këtij viti në shumë vende të rajonit është shpallur epidemi nga influenca e gripit, pasi shumë njerëz kanë vdekur nga ndërlikimet e shkaktuara nga ky virus. Në Bosnjë dhe Hercegovinë tashmë kanë vdekur 36 persona, në Serbi 19 persona, në Mal të Zi 6, derisa në Maqedoni 2 persona.

Sido që të jetë, Instituti Kombëtar po përcjell me vëmendje ecurinë epidemiologjike të gripit sezonal në tërë territorin e Republikës së Kosovës duke intensifikuar punën në terren.

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës, thonë zyrtarë nga ky institut, derisa shtojnë se asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG