Ndërlidhjet

Hegseth: Lufta me Iranin i ka kushtuar SHBA-së 37.5 miliardë dollarë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke dëshmuar para Kongresit më 21 korrik.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke dëshmuar para Kongresit më 21 korrik.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i tha Kongresit më 21 korrik se lufta me Iranin i ka kushtuar Shteteve të Bashkuara 37.5 miliardë dollarë deri më tani, nga pothuajse 29 miliardë dollarë sa ishte vlerësuar në mes të majit.

Ai e mbrojti kërkesën e Pentagonit për rreth 67 miliardë dollarë fonde shtesë.

Duke dëshmuar para Komitetit për Ndarje Buxhetore të Senatit, Hegseth dhe gjenerali Dan Caine, shef i Shtabit të Përgjithshëm, thanë se financimi shtesë ishte “urgjent” dhe “i nevojshëm” për të mbuluar kostot e operacioneve ushtarake deri në fund të shtatorit.

Senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, vuri në pikëpyetje kërkesën për fonde shtesë, duke argumentuar se Pentagoni ende ka 75 miliardë dollarë të pashpenzuara dhe pyeti pse po kërkohen më shumë para “në vend se të kërkohet autorizim për transferim” të fondeve.

Hegseth u përgjigj se këto fonde veçse janë alokuar për prioritete të tjera përfshirë edhe për projektin e mbrojtjes raketore të quajtur “Golden Dome for America” (Kupola e Artë për Amerikën).

Ligjvënësit demokratë dhe republikanë po ashtu i kërkuan administratës amerikane më shumë qartësi për strategjinë e saj në Lindjen e Mesme, pasi lufta në Iran nisi në fund të shkurtit me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) tha se me “sukses kemi përfunduar” natën e 11-të me radhë të sulmeve më 21 korrik, duke shënjestruar “qendrat operacionale iraniane, aftësitë detare, hangarët e aeroplanëve, ndërtesa ku mbahen dronët dhe infrastrukturën logjistike ushtarake”.

CENTCOM tha se kishin për qëllim ta dobësonin edhe më shumë aftësinë e Iranit për të kërcënuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, pas më shumë se 30 sulmeve ndaj anijeve tregtare gjatë tre muajve të fundit.

Komanda tha se kjo rrugë ujore mbetet e hapur dhe përsëriti pretendimin se forcat amerikane kanë ndihmuar në lehtësimin e kalimit të rreth 900 anijeve tregtare dhe 450 milionë fuçive naftë të papërpunuar përmes Ngushticës së Hormuzit që nga fillimi i majit.

Ndërkaq, më 22 korrik ushtria iraniane tha se ka kryer sulme ndaj një baze amerikane në Kuvajt. Sipas njoftimit, ushtria iraniane “kreu sulme me dronë orë më parë ndaj depove të municioneve dhe pajisjeve logjistike në selinë e forcave tokësore të ushtrisë amerikane në Kampin Doha, që gjendet në perëndim të Kuvajtit, në kundërpërgjigje të sulmeve të vazhdueshme amerikane ndaj Iranit”.

Ushtria amerikane ende nuk ka komentuar për këtë pretendim të Iranit.

XS
SM
MD
LG