Ndërlidhjet

Piratët rrëmbejnë një cisternë të lidhur me Iranin

Piratët somalezë kishin kryer sulme të shumta ndaj anijeve nga viti 2008 deri më 2014. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Piratët somalezë kishin kryer sulme të shumta ndaj anijeve nga viti 2008 deri më 2014. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Një cisternë nafte, e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara nën akuza se transporton produkte të naftës iraniane, është rrëmbyer afër brigjeve të Jemenit dhe është nisur drejt Somalisë. Kjo ngjarje është treguesi i fundit i rishfaqjes së piratëve në Somali.

Gjashtë individë të armatosur hipën në kuvertën e Sibu 1, anijes me flamur të Eritresë, më 20 gusht, tha monitoruesi britanik i sigurisë detare, Operacionet Tregtare Detare (UKMTO).

Uashingtoni vendosi sanksione ndaj cisternës në dhjetor, duke thënë se ajo i përkiste të ashtuquajturës flotë në hije, e cila përdoret për të shmangur kufizimet ndaj eksporteve iraniane të naftës.

Sipas të dhënave të Byrosë Ndërkombëtare Detare dhe raporteve të UKMTO-së, Sibu 1 është të paktën anija e 13-të e sulmuar këtë vit në brigjet e Somalisë ose në Gjirin e Adenit. Kjo shifër paraqet rritje krahasuar me vitin paraprak, kur ishin regjistruar gjithsej pesë sulme.

Pirateria somaleze, e cila shkaktoi qindra sulme nga viti 2008 deri më 2014, përpara se të vihej kryesisht nën kontroll pas një reagimi ndërkombëtar detar, është rishfaqur ndërsa burimet e sigurisë po angazhohen gjithnjë e më shumë në zona të tjera.

Ekspertët thonë se çmimet më të larta të naftës dhe zhvendosja e mjeteve detare për t’iu kundërvënë Iranit dhe rebelëve Huthi të Jemenit mund të kenë krijuar mundësi të reja për piratët.

XS
SM
MD
LG