Ndërlidhjet

Policia e Kosovës arreston gazetaren ruse Daria Aslamova


Gazetarja ruse, Daria Aslamova. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës ka arrestuar rusen, Daria Aslamova, në veri të vendit.

Ndërsa përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se “shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares”.

“E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”.

Në disa fotografi që ai ka shpërndarë përmes postimit të tij në Facebook, Aslamova shihet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Sveçla ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj, dhe sipas tij, Aslamovas i ndalohet hyrja në shumë shtete.

“Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i akterëve përkatës deri në zbardhje të qëllimeve të saj”.

“Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”, ka thënë mes tjerash Sveçla.

Ndalesa për hyrje në Moldavi

Daria Aslamovas i është ndaluar hyrja në Moldavi më 2017.

Atë periudhë ajo ka qenë duke punuar për median ruse, Komsomolskay Pravda, e cila njihet për qëndrimet pro-Kremlinit.

Shërbimi moldav i Radios Evropa e Lirë, ka raportuar atëbotë se shërbimet e sigurisë ia kanë ndaluar hyrjen “pasi ajo nuk ka mundur të arsyetojë arsyen e vizitës”.

Ish-presidenti moldav, Igor Dodon, pati thënë se gazetarja ishte nisur për ta intervistuar atë dhe pati kritikuar autoritetet e sigurisë për një vendim të tillë.

Dodon është njohur po ashtu për qëndrimet e tij pro-Rusisë.

XS
SM
MD
LG