Ndërlidhjet

Suspendohet drejtori i policisë në veri, reagon Serbia


Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri. Fotografi nga arkivi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka suspenduar nga detyra drejtorin rajonal të policisë në veri, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave. Por, nga Serbia kanë dënuar këtë vendim të institucioneve në Kosovë.

Sipas njoftimit, suspendimi i Gjuriqit u bë për shkak të "mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatimit të vendimeve zyrtare".

Suspendimin e Gjuriqit e rekomandoi më herët gjatë 3 nëntori Inspektorati Policor i Kosovës, i cili tha se Gjuriq dyshohet për veprat penale "Sabotim" dhe "Thirrje për rezistencë".

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se refuzimi për zbatimin e vendimeve të institucioneve, paraqet një cenim të rëndë të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.

“Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, shkroi Sveçla në Facebook.

Lista Serbe paralajmëron largim nga institucionet

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe paralajmëroi largim nga institucionet e Kosovës në veri, teksa tha se vendimi për suspendimin e Gjuriqit ishte "i paligjshëm".

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha po ashtu se serbët duhet të "forcojnë dhe ndërtojnë" institucionet e veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë.

Rakiq tha se ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Listës Serbe me kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës. Kjo mbledhje, tha se do të mbahet pas “vendimit të paligjshëm dhe anti-serb” të Kosovës, për suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq.

“Të gjithë ne kemi hyrë në institucionet e Kosovës sepse kjo ka qenë pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, dhe duke pasur parasysh se Prishtina nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara, është e qartë se nuk kemi çfarë të kërkojmë në ato institucione sepse është e qartë se Prishtina shkel secilën prej tyre”, tha Rakiq përmes një deklarate për media.

Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media se Gjuriq u suspendua për shkak se "ai qëndroi në mbrojtje të popullit serb".

“Ata nuk duan të marrin pjesë në persekutimin e popullit serb, sepse nuk është ky qëllimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ku është gabimi kur Gjuriqi tha se nuk do të marrë pjesë në vendimet e [kryeministri i Kosovës,] Albin Kurtit, të cilat janë politike”, tha ai.

Petkoviq shtoi se për çështjen e suspendimit të drejtorit të policisë në veri ka biseduar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilit, siç tha, i ka treguar se Kurti “nuk ka të drejtë të zëvendësojë” drejtorin e policisë për rajonin e veriut.

Çfarë tha Gjuriq?

Më 2 nëntor, Gjuriq tha se policët në veri nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.

Këtë vendim Gjuriq e kumtoi pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).

Gjuriq tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe drejtoria e përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.

Nenad Gjuriq në qershor të vitit 2013 ishte emëruar komandant rajonal i policisë në veri.

Emërimi i tij erdhi pasi Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e raporteve, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në pikën 9 të marrëveshjes thuhej se komandanti rajonal në katër komunat me shumicë serbe emërohet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale (KM), do të marrin fleta qortuese.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS.

Në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) vlerësohet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.

Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.

Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri, që kanë pasur në cak kryesisht serbët që kanë riregjistruar makinat e tyre në RKS.

Vendimi për riregjistrimin e makinave fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj për shkak se serbët lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi.

Pak para se të skadonte afati për riregjistrim më 31 tetor, Qeveria e Kosovës njoftoi për planin e saj me tri faza për targat.

XS
SM
MD
LG