Ndërlidhjet

Politika e jashtme në fokus të debatit mes kandidatëve demokratë për president 


Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders, kandidatët nga radhët e demokratëve

Dhjetë kandidatët presidencialë demokratë janë përplasur me argumente në një debat televiziv në Shtetet e Bashkuara.

Ky është debati i parë mes demokratëve i cili do të pasohet nga një debat tjetër ku do të paraqiten 10 kandidatët tjerë, përfshirë Joe Biden dhe Kamala Harris, që synojnë nominimin e Partisë Demokratike, për garën presidenciale të SHBA-së më 2020.

Shëndetësia, migracioni dhe politika e jashtme, dominuan debatin që u zhvillua të martën në mbrëmje.

Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders, ndër kandidatët më të njohur mes demokratëve ishin në qendër të kritikave nga kundër-kanditatët e tyre.

Ashtu si presidenti i SHBA-së, Donald Trump, senatori, Bernie Sanders shprehu neverinë e tij ndaj rolit “polic i botës” nga ana e Shteteve e Bashkuara.

Sanders tha se ai do të përmirësonte qëndrimin e Shteteve të Bashkuara me Kombet e Bashkuara dhe do të përqëndrohej në diplomaci në vend të veprimeve ushtarake.

"Ajo që na duhet është një politikë e jashtme që përqendrohet në diplomaci dhe përfundimin e konflikteve nga njerëzit që ulen në tryezë dhe diskutojnë", tha Sanders.

Kryebashkiaku i Indianës, Pete Buttigieg, një ish oficer i inteligjencës në Rezervat e Marinës, tha se ai do të tërheqë trupat nga Afganistani në vitin e tij të parë në detyrë.

"Mendova se isha një nga trupat e fundit që po largohej nga Afganistani," tha Buttigieg për luftën 18-vjeçare në atë vend.

Ish-kongresisti Beto O’Rourke u zotua të përfundojë pranitë e huaja në Irak, Jemen, Somali, Libi dhe Siri. Ai gjithashtu premtoi të tërhiqte trupat nga Afganistani në mandatin e tij të parë.

"Si president, unë do t'i përfundoj ato luftëra dhe nuk do të fillojmë luftëra të reja, ne nuk do të dërgojmë më shumë anëtarë të shërbimit amerikan jashtë shtetit për të sakrifikuar jetën e tyre dhe për të marrë jetën e të tjerëve në emrin tonë," tha ai

Si Sanders, O’Rourke tha që Shtetet e Bashkuara duhet të përqëndrohen më shumë në diplomacinë paqësore.

Sa i përket kërcënimit të paraqitur nga Koreja e Veriut dhe udhëheqësi i saj Kim Jong Un, kandidati nga Ohio, Tim Ryan tha se "nuk mendoj se presidentët e Shteteve të Bashkuara duhet të takohen me diktatorët."

Senatorja Amy Klobuchar nga Minesota foli ndryshe, duke thënë se ajo beson se duhet të jetë gjithmonë e hapur për t'u takuar me "këdo në çdo vend".

"Unë besoj se ju takoheni me njerëz, por kur keni një axhendë dhe vendosni interesat e vendit në rend të parë", tha Klobuchar.

Ne debat kishte përplasje, nëse Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin armët bërthamore.si masë mbrojtëse. Guvernatori i Montanas, Steve Bullock, tha se ai "nuk do ta largonte këtë opsion nga tryeza".

Senatorja e Masaçusets, Elizabeth Warren tha se Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin armë bërthamore vetëm nëse një vend tjetër e përdor atë së pari.

“Përgjegjësia jonë është të ruajmë sigurinë tonë", tha ajo.

Kandidatët demokratë kishin mospajtime edhe sa i përket krizës në kufirin me Meksikën, dhe kujdesin shëndetësor.

Dhjetë kandidatë të tjerë demokratë do të debatojnë më 31 korrik.

Fituesi i nominimit presidencial nga ana e demokratëve do të shpallet korrikun e ardhshëm në konventën e partisë.

Zgjedhjet presidenciale mbahen në nëntor.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG