Ndërlidhjet

Pompeo kërkon “rivendosje” të raporteve me Pakistanin


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pomepo ka thënë se ai shpreson në “rivendosje” të marrëdhënieve të tensionuara me Pakistanin, kur të takohet me kryeministrin e këtij vendi, Imran Klan, çka shënon edhe vizitën e tij të parë në këtë shtet.

Pomepo pritet të takohet me Khan, një kritik prej kohësh i Shteteve të Bashkuara, si dhe me shefin e ushtrisë së Pakistanit, Gjeneralin, Qamar Javed Bajwa pasi ka arritur në Islamabad më 5 shtator.

Pompeo shoqërohet nga gjenerali amerikan, Joseph Dunford.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka ulur ndihmën ushtarake në Pakistan këtë vit, duke cituar pakënaqësitë rreth përpjekjeve të Pakistanit për të eliminuar grupet militante në rajonin e saj kufitar me Afganistan, si dhe për krijim të strehëve të sigurta për talibanët afganë në këtë territor.

Pakistani në anën tjetër ka hedhur poshtë vazhdimisht këto akuza.

Në tentim e sipër për të rritur presionin ndaj Islamabadit, Pentagoni ka njoftuar këtë javë se ka vendosur të pezullojë ndihmën në vlerë të 300 milionë dollarëve, duke rikujtuar se muaj më parë ka tërhequr edhe 500 milionë dollarë të tjerë nga ky vend.

Mirëpo zyrtarët amerikanë kanë thënë se ndihma mund të rikthehet menjëherë, nëse Pakistani u përgjigjet kërkesave të SHBA-së.

Pakistani në anën tjetër pretendon se miliarda dollarë të pranuara nga Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit nuk kanë qenë ndihmë, mirëpo kompensim i burimeve që janë shpenzuar për të luftuar terrorizmin.

Pezullimi i ndihmës fillon së zbatuari në kohën kur Qeveria e re e Khanit, e cila ka nisur së udhëhequri muajin e kaluar, është duke u përballur me krizë rreth pagesave të kredisë për kreditorët në Pakistan.

Khan është fokusuar kryesisht në çështjet e brendshme, mirëpo ka kundërshtuar vazhdimisht prezencën e trupave amerikane në Afganistan dhe ka premtuar se do të rishqyrtojë marrëdhëniet me Uashingtonin kur të nisë drejtimin e shtetit.

“Ne duam marrëdhënie të dobishme për të dyja palët me SHBA-në dhe jo të njëanshme”, pati thënë Khan në fjalimin e tij pas shpalljes së fitores në zgjedhje më 26 korrik.

Kryeministrja i ri i Pakistanit, Imran Khan
Kryeministrja i ri i Pakistanit, Imran Khan

Ndërkohë shenjë për vazhdim të tensioneve ka qenë edhe rasti kur Pompeo ka telefonuar Khanin për ta uruar rreth fitores së tij, hap të cilën zyra e Kryeministrit ka refuzuar ta interpretojë si kërkesë të Pomepos “për veprim kundër terroristëve” që veprojnë në këtë vend.

Pompeo ka thënë se dëshiron të takojë ish-yllin e kriketit, në përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet në mes të dy shteteve.

“Ne kemi punuar ngushtë me pakistanezët sa kam qenë drejtor i CIA-s, ekipet tona kanë punuar së bashku për kohë të gjatë”, ka thënë Pompeo, ish-anëtar i Kongresit, i cili ka fituar shpejt pozitë diplomatike në SHBA, për shkak të besnikërisë së tij ndaj presidentit.

“Ka shumë sfida në mes të dy kombeve, mirëpo ne shpresojmë se me udhëheqësinë e re, mund të gjejmë të përbashkëta dhe të nisin punën së bashku për disa probleme që ndajmë të dyja palët”, është shprehur ai.

“Shpresojmë se do të nisin faqe të re dhe të shënojmë përparim dhe këto janë pritshmëri reale. Neve na duhet Pakistani që të angazhohet për të arritur pajtueshmërinë që na duhet në Afganistan”, është shprehur Pompeo.

Këto deklarata vijnë pasi në përpjekje të presidentit amerikan, Donald Trump për ta zgjidhur konfliktin 17-vjeçar në Afganistan, Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Pakistanit, pjesëmarrjen e së cilës e kërkon në mënyrë që arrijë situatën kur talibanët do të negocionin me Qeverinë në Kabul.

Kryengritësit në Afganistan kanë kundërshtuar deri tani bisedimet me Qeverinë dhe në vend të tyre kanë përshkallëzuar dhunën kundër forcave afgane dhe atyre amerikane.

Pas vizitës në Pakistan, Pompeo do të udhëtojë në Indi, vend me të cilin Uashingtoni ka krijuar lidhje të ngushta, pavarësisht rritjes së tensioneve me Pakistanin.

Mirëpo SHBA-ja ka pasur mospajtime edhe me Nju Delhin, pasi ka kërkuar nga India të zbatojë sanksionet që ka vënë Trump kundër Iranit dhe ushtrisë ruse, duke i dhënë fund blerjes së naftës iraniane dhe armëve nga Rusia.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG