Ndërlidhjet

Posta e Serbisë thotë se janë ndaluar dërgesat postare për veriun e Kosovës


Automjete të Postës së Serbisë, para ndërtesës së saj, në Graçanicë, Kosovë. Fotografi nga arkivi.
Automjete të Postës së Serbisë, para ndërtesës së saj, në Graçanicë, Kosovë. Fotografi nga arkivi.

Posta e Serbisë ka njoftuar se Policia e Kosovës ka ndaluar në pikën kufitare të Jarinjës, dërgesat postare që po transportoheshin përmes një furgoni të linjës së rregullt mes Rashkës në Serbi dhe Graçanicës në Kosovë.

Posta e Serbisë tha se dërgesa postare e ndaluar, përfshinte letra. Qytetarët e Serbisë mund të dëgojnë përmes postës dokumente të ndryshme, sikurse ato gjyqësore.

Ky pretendim i autoriteteve serbe vjen një ditë pasi në Kosovë u mbyllën nëntë degë të Postës Serbe, pasi autoritetet thanë se ato po vepronin pa licencë.

Posta e Serbisë bëri thirrje për zgjidhjen e kësaj situate, uljen e menjëhershëm të tensioneve dhe që të mundësohet funksionimi pa pengesa i transportit postar në veri të Kosovës.

“Shumë qytetarë dhe kryesisht të moshuar mbështeten në shërbimet tona për transaksionet e përditshme dhe për këmbimet afariste. Veprimi i sotëm i ndalimit të dhunshëm të dërgimit të letrave, ndër të tjera, vështirëson kontaktin mes familjeve, gjë që rrit edhe më tej ndjenjën e pasigurisë në kontekstin e tensioneve etnike”, tha Posta e Serbisë.

Një ditë më parë, nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Autoritetet mbyllën nga tri objekte në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Aksioni u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare. Bashkimi Evropian tha se ky ishte një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës.

Blloku argumentoi se një veprim i tillë shkel dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të zhgënjyera” për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet “e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.

Mbyllja e objekteve u dënua edhe nga zyrtarët e Postës së Serbisë, Lista Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG