Ndërlidhjet

Çekia u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Rusia


Ndërtesa e Ministrisë së Jashtme të Çekisë.
Ndërtesa e Ministrisë së Jashtme të Çekisë.

Republika Çeke ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët e saj për t’u larguar nga Rusia, pasi Moska shpalli mobilizimin ushtarak muajin e kaluar.

Qeveria çeke edhe më herët kishte paralajmëruar kundër udhëtimit në Rusi dhe në shkurt – kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës – u kishte bërë thirrje shtetasve të saj të largohen nga vendi.

Më 3 tetor, Ministria e Jashtme çeke zgjeroi thirrje e saj, duke thënë se çekët që janë të pajisur me shtetësi ruse përballen me rreziqe pas shpalljes së mobilizimit nga Rusia në shtator, tha një zëdhënëse e kësaj ministrie.

“Qytetarët e Republikës Çeke që po ashtu janë të pajisur me shtetësi ruse, duhet të dinë se nëse ata janë në territorin e Federatës Ruse, ata shihen nga autoritetet ruse si shtetas të Federatës Ruse”, tha Ministria e Jashtme çeke përmes deklaratës së publikuar në ueb-faqen e saj.

“Ambasada çeke në Moskë nuk mund t’u ofrojë mbrojtje adekuate dhe të plotë konsullore të gjithë këtyre shtetasve”, u tha në njoftim.

Çekia po ashtu paralajmëroi se shtetasit e saj, që kanë edhe shtetësi ruse, mund të pengohen që të përdorin në Rusi kartelat bankare të lëshuara nga Republika Çeke për shkak të sanksioneve.

Republika Çeke ka qenë një nga mbështetëset më të mëdha të Ukrainës të cilës i ka dërguar ndihmë ushtarake dhe po ashtu ka pranuar qindra mijëra refugjatë ukrainas.

Praga po ashtu ka ndaluar lëshimin e vizave për rusët, përveç për raste humanitare, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG