Ndërlidhjet

Biden infektohet me koronavirus


Presidenti amerikan, Joe Biden.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është infektuar me koronavirus dhe ka simptoma të lehta, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Biden është i vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi, si dhe ka marrë dy doza përforcuese të vaksinës.

“Këtë mëngjes, Presidenti Biden ka rezultuar pozitiv në COVID-19. Ai është i vaksinuar plotësisht, ka doza përforcuese dhe aktualisht ka simptoma të lehta. Ai ka nisur të trajtohet me Paxlovid. Sipas udhëzimeve të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ai do të izolohet në Shtëpinë e Bardhë dhe do të vazhdojë të kryejë detyrat e tij gjatë asaj kohe”, ka thënë Sekretarja për Media në Shtëpinë e Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Ai është thënë se do të marrë pjesë në takime përmes telefonit apo platformës Zoom.

Pas njoftimit për infektim, vetë Biden ka bërë një paraqitje në Twitter, duke thënë se ndihet mirë.

“Jam i vaksinuar dhe kam dozat shtesë. Simptomat i kam të lehta. E vlerësoj shqetësimin tuaj, por jam mirë, dhe po bëj shumë punë. Faleminderit për kujdesin dhe kini besimi. Gjithçka do të jetë në rregull”, ka thënë mes tjerash Biden.

Kjo është hera e parë që Biden është infektuar me koronavirus.

Ai ka rezultuar negativ në këtë virus për herë të fundit ditën e martë.

Paxlovid është ilaç antiviral i kompanisë Pfizer për trajtim të COVID-19.

Biden, 79-vjeçar, hyn në kategorinë e njerëzve të rrezikuar nga koronavirusi, për shkak të moshës që ka.

Presidenti është kthyer nga një udhëtim në Lindje të Mesme më 16 korrik.

Më 20 korrik, ai ka udhëtuar në Masaçusets me një grup ligjvënësish.

Ai i është bashkuar gruas së tij Jill Biden, kur ajo e ka takuar Zonjën e Parë të Ukrainës, Olena Zelenska më 19 korrik në Shtëpinë e Bardhë.

Biden i bashkohet një liste të gjatë të liderëve botërorë që janë infektuar me koronavirus, prej shpërthimit të pandemisë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, presidenti francez, Emmanuel Macron, Mbretëresha britanike, Elizabeta II dhe dhjetëra zyrtarë tjerë kanë qenë të infektuar po ashtu.

Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, është infektuar po ashtu në tetor të vitit 2020, para se vaksinat të ishin të qasshme.

Ai ishte shtruar në spital për të marrë trajtim mjekësor.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

XS
SM
MD
LG