Ndërlidhjet

Princi Hamzah bëri “komplot” kundër Jordanisë


Ish-princi i kurorës i Jordanisëm Hamzah, dhe gruaja e tij. Fotografi e vitit 2004.

Ish-princi i kurorës i Jordanisë akuzohet për përpjekje për të mobilizuar udhëheqësit fisnorë kundër Qeverisë, tha zëvendëskryeministri i këtij vendi, Ayman Safadi.

Princi Hamzah bin Husein punoi me “palë të huaja” për të destabilizuar shtetin, tha ai.

Princi, më herët, dërgoi dy video në BBC, duke pretenduar se po mbahet nën arrest shtëpiak.

Ai mohoi komplotin, por akuzoi udhëheqësit e Jordanisë për korrupsion dhe pazotësi.

Gjashtëmbëdhjetë persona, përfshirë një ish-këshilltar të mbretit të Jordanisë, Abdullah, dhe një anëtar tjetër të familjes mbretërore, u arrestuan në fundjavë, nën akuzat për kërcënim të sigurisë.

Në videot e tij, princi Hamzah, gjysmëvëllai i mbretit, tha se i është thënë se nuk mund të dalë jashtë ose të komunikojë me njerëz.

Nëna e tij, mbretëresha Noor, tha se ajo po lutet për, siç u shpreh, viktimat e pafajshme të “shpifjeve të liga”.

Zëvendëskryeministri Safadi tha se princi Hamzah ka përdorur videot për të shtrembëruar faktet dhe për të nxitur ndjeshmërinë.

Ai tha në një konferencë për media se princi kishte lidhje me palët e huaja për destabilizimin e vendit dhe se ishte monitoruar për disa kohë.

Safadi tha se princi ka bërë përpjekje t’i mobilizojë “udhëheqësit e klaneve” kundër Qeverisë, porse “komploti është parandaluar”.

Safadi po ashtu tha se një burrë që kishte lidhje me shërbimet e huaja të sigurisë, i kishte ofruar gruas së princit Hamzah, princeshës Basmah, një fluturim jashtë Jordanisë.

Ai nuk specifikoi se cili shërbim i huaj i sigurisë është i përfshirë.

Safadi tha se zyrtarët kanë bërë përpjekje ta dekurajojnë princin dhe të mos ndërmarrin veprime ligjore kundër tij, porse princi “e ka marrë negativisht këtë kërkesë”. Ai tha se dialogu është duke vazhduar.

Fuqitë rajonale, përfshirë Egjiptin, Turqinë dhe Arabinë Saudite, shprehën mbështetje për mbretin Abdullah, pas operacionit.

Shtetet e Bashkuara, të cilat janë aleate me Jordaninë në fushatën e tyre kundër grupit militant Shteti Islamik, e përshkruan monarkun si partner kryesor që e ka mbështetjen e tyre të plotë.

Mbreti Abdullah i Jordanisë
Mbreti Abdullah i Jordanisë

Princi Hamzah është djali i madh i mbretit të ndjerë Hussesin.

Ai është emëruar princ i kurorës i Jordanisë në vitin 1999 dhe ishte i preferuari i mbretit Husein, i cili shpesh e quante publikisht “dritë e syve të mi”.

Megjithatë, ai është parë si i papërvojë për t'u emëruar pasardhës në kohën e vdekjes së mbretit Husein.

Gjysmëvëllai i tij i madh, Abdullah, është ngjitur në fron dhe i ka hequr Hamzas titullin e princit të kurorës në vitin 2004, duke ia dhënë atë djalit të tij.

Ky veprim ishte parë si goditje për mbretëreshën Noor, e cila kishte shpresuar ta shihte djalin e saj të madh të bëhej mbret.

Përgatiti: Vaona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG