Ndërlidhjet

Prindërit serbë kërkojnë përgjigje për fëmijët e humbur


Prindërit e fëmijëve të zhdukur, duke protestuar para Parlamentit të Serbisë

Mirjana Novokmet ka lindur në një spital të Serbisë në vitin 1978. Ajo ende nuk e ka parë fëmijën e saj, por edhe 40 vjet më vonë, shpreson ende.

Novokmet është një nga mijëra prindërit në Serbi, që thonë se të porsalindurit e tyre janë shpallur të vdekur në spitale, porse trupat e tyre nuk u janë dorëzuar kurrë, ndërsa dokumentet shoqëruese kanë qenë jobindëse ose nuk kanë ekzistuar.

Edhe pse askush nuk e di numrin e saktë të foshnjave që janë zhdukur në Serbi, ka disa mijëra raste të raportuara për të porsalindur të humbur, që datojnë nga vitet 1970.

Rastet kanë krijuar spekulime se fëmijët janë vjedhur nga bandat kriminale dhe se janë ende gjallë.

Këto dyshime janë rritur për shkak të numrit të madh të rasteve që kanë ndodhur në rrethana të ngjashme dhe stafi mjekësor nuk iu ka lejuar prindërve t’i shohin trupat e fëmijëve, duke mos respektuar protokollin.

Autoritetet serbe thonë se nuk mund t’i hetojnë dyshimet pasi ka kaluar statuti i kufizimeve.

Pesë vjet më parë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka shpallur Serbinë fajtore për shkelje të të drejtave të njeriut në lidhje me këtë çështje dhe i ka urdhëruar ligjvënësit të zgjidhin fatin e foshnjave të zhdukura. Autoritetet në Beograd vazhdojnë të debatojnë projektligjet për përcaktimin e fakteve.

Pavarësisht viteve të presionit nga grupet e prindërve, qeveria ka qenë e ngadaltë për të ndërmarrë veprime.

Për Novokmetin, e cila kryeson Grupin e Prindërve në Beograd, debati midis ligjvënësve bën pak punë për t’iu dhënë fund dekadave të vuajtjes.

“Kam bërë përpjekje të mos i shikoj fëmijët e tjerë, duke u frikësuar se do të njoh fëmijën tim. Unë nuk e kam parë fëmijën tim, nuk e kam identifikuar dhe nuk e kam marrë për ta varrosur. Andaj, ka arsye të besoj se fëmija im është gjallë”, tha Novokmet për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Në vitin 2010, avokati i popullit i Serbisë, Sasha Jankoviq, ka fajësuar qeverinë për problemin, e cila një vit më vonë ka shpërbërë një grup pune që po shqyrtonte rastet, duke thënë se ato janë të vjetruara dhe se për ndjekjen e tyre është i nevojshëm një amendament kushtetues.

Në atë kohë, Zorica Jovanoviq, një tjetër nënë me fëmijë të zhdukur menjëherë pas lindjes, ka çuar rastin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila më pas ka vendosur në favor të saj dhe i ka dhënë 10 mijë euro kompensim.

Në mars të viti 2013, gjykata i ka dhënë Qeverisë së Serbisë një vit kohë për të krijuar rrugë për t’i dëmshpërblyer prindërit, por ky afat ka kaluar me shumë pak rezultate.

“Pas marrjes së këtij vendimi, kemi nisur të shkojmë në institucione të ndryshme shtetërore. Shumica e tyre nuk kanë qenë në dijeni për vendimin apo për faktin se ai është i detyrueshëm për Republikën e Serbisë”, tha Novokmet.

Në muajin prill, prindërit kanë rritur presionin ndaj zyrtarëve me një protestë kundër një projektligji që po debaton qeveria, duke thënë se ai fokusohet në dëmshpërblimin financiar dhe shmang krijimin e një procedure për hetimin e asaj që ka ndodhur me fëmijët e zhdukur.

“Ligjvënësit nuk i kanë marrë parasysh sugjerimet tona, mendimet apo idetë tona, por kanë dalë me projektligjin që kanë dashur vetë”, tha Novokmet.

Meho Omeroviq, udhëheqës i komitetit parlamentar për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, e ka diskutuar ligjin e propozuar, të njohur si Akti i Foshnjës së Zhdukur, me prindërit e dëmtuar.

Ai po e shtyn qeverinë t’i adresojë shqetësimet e prindërve, në vend se të përpiqet t'i paguajë ata.

“Mendoj se është e rëndësishme të flitet me këta prindër, të kuptohen vuajtjet e tyre, dhimbja e tyre dhe dëshira e tyre për të mësuar të vërtetën, cilado që të jetë, sepse kjo është e vetmja gjë që kërkojnë”, tha Omeroviq.

“Është turp t’iu dërgohet mesazh prindërve se foshnja e tyre e humbur ka vlerë 10,000 euro”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Bogdan Janjiq është një baba që kurrë nuk ka marrë dokumente ose dëshmi, pasi i është thënë se foshnja e tij ka vdekur dy ditë pasi ka lindur.

Ai beson se djali i tij është gjallë.

“Dikush e ka shitur djalin tim dhe kjo ma ka bërë jetën ferr”, tha Janjiq.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG