Ndërlidhjet

Problemet teknike të Telekomit rrezikojnë edhe sigurinë nacionale


Ndërtesa e Telekomit të Kosovës
Ndërtesa e Telekomit të Kosovës

Telekomi i Kosovës, i cili po përballet me probleme financiare, gjatë ditëve të fundit është ballafaquar edhe me probleme teknike në sistemin operativ, të cilat thuhet se u eliminuan të premten.

Megjithatë, mosfunksionimi në nivel të duhur i telekomunikimit ka ngritur shqetësime të mëdha për shkak se ndikon edhe në sigurinë nacionale, marrë parasysh që problemet e krijuara përgjatë dy ditëve, vështirësuan edhe komunikimin me numrat e emergjencave.

Operatori Vala që funksionon në kuadër të Telekomit, ka më shumë se 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Qëndresa Arifi, një qytetare nga Prishtina, tregon se nuk ka arritur të shfrytëzojë asnjë shërbim nga Telekomi i Kosovës gjatë dy ditëve të fundit. Ajo thotë se nuk ka pranuar asnjë thirrje dhe nuk ka mundur të bëjë thirrje përmes lidhjeve telefonike.

“Këto dy ditët e fundit kam pasur shumë problem me komunikim me telefon për shkak se Vala ka pasur probleme. Nuk kam mundur as të pranoj thirrje, e as të bëj thirrje”, thotë ajo.

Zëdhënësi i Telekomit të Kosovës, Arsim Bilalli, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet kanë ardhur si pasojë e ngarkesës së rrjetit, por që si të tilla, sipas tij, janë eliminuar tani. Ai thotë se sistemi është plotësisht funksional dhe të gjithë konsumatorët tani mund të komunikojnë pa pengesa.

“Siç kemi njoftuar edhe më herët, problemet teknike në sistemin operativ të Valës kanë shkaktuar pengesa në komunikim në disa zona të caktuara gjatë ditëve të fundit, dhe kjo ka ardhur si pasojë e ngarkesës së madhe që ka pasur në rrjet, mirëpo ekipet e kompanisë sonë kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të eliminuar problemet e shfaqura dhe për rrjedhojë të gjitha problemet teknike në sistemin tonë operativ janë eliminuar dhe shpresojmë të mos përsëriten”, thotë Bilalli.

Ai tregon se mirëmbajtja e sistemit operativ ka kosto të lartë dhe se është më se e domosdoshme që të bëhen investime në këtë rrjet të telekomunikimit, pasi që një rënie e sistemit, krijon problem të mëdha

“Ne tani kemi pasur disa orientime strategjike për ta mirëmbajtur këtë sistem, kemi njoftuar edhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe i kemi adresuar kërkesat tona për domosdoshmërinë e mirëmbajtjes dhe investimeve në këtë rrjet. Është pikërisht ajo që ne e kemi ngritur si shqetësim, se me rënien e sistemit, bëhet fjalë për sigurinë nacionale të shtetit pasi që shumë zyra, njësi të shtetit tonë funksionojnë me Telekomin e Kosovës”, thotë Bilalli.

Ndërkohë, Driart Elshani, ekspert i çështjeve të telekomunikimeve, thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo se çfarë ka ndodhur në ditët e fundit me sistemin operativ të Telekomit të Kosovës, nuk do të duhej të ndodhte, pasi që rrezikon sigurinë nacionale.

“Kjo ka ndikim shumë të madh në sigurinë nacionale pasi që të gjitha telekomunikimet sot bëhen përmes rrjetit mobil dhe është e rëndësishme që rrjeti mobil të jetë funksional dhe kualiteti i shërbimeve të jetë i duhur dhe i nevojshëm”.

“Prioritet numër një për Telekomin e Kosovës duhet të jetë funksionimi normal i rrjetit. Problemet që shkakton një rënie e tillë e sistemit operativ të Telekomit të Kosovës është se afekton edhe shërbimet emergjente, pasi që janë të lidhura me rrjetin mobil”, thotë ai.

*Video nga arkivi: #Hashtag

A po falimenton Telekomi i Kosovës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Është e rëndësishme, shton Elshani, që Kosova të ketë një rrjet të veçantë për shërbime emergjente që në rastet si këto, thotë ai, telekomunikimet për shërbime emergjente të jenë funksionale.

“Telekomi i Kosovës duhet të fokusohet në kualitetin e shërbimeve në funksionalitetin e rrjetit. Gjatë viteve të fundit nuk e kemi parë këtë. Telekomi i ka kushtuar rëndësi më shumë marketingut sesa sistemit operativ. Misioni numër një është dhënia e shërbimeve të telekomunikimit për qytetarët me kualitetin e duhur dhe të nevojshëm”, thotë Elshani.

Telekomi i Kosovës është futur në krizë të thellë financiare tani e sa kohë për shkak të borxheve të shumta të akumuluara.

Një nga borxhet e Telekomit të Kosovës kap vlerën e më shumë se 25 milionë eurove që e ka ndaj kompanisë Z-mobile. Ky borxh ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Përfaqësuesit e Telekomit të Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar ndihmë nga Qeveria e Kosovës në lidhje me pagesën e borxhit, porse përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kishin deklaruar se është barrë e madhe financiare për buxhetin e shtetit dhe e papërballueshme.

Sidoqoftë, tani pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, është e pamundur që Qeveria ta ndihmojë financiarisht Telekomin për shkak të procedurave që do të kërkoheshin në rast të një pagese të tillë.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG