Ndërlidhjet

“Problemi” i fotografive të grave në gurët e varreve në Iran


"Të shohësh gurin e varrit pa fotografinë e nënës sime, ishte tronditëse", tha një banore e qytetit Rojan.

Disa banorë të qytetit verior iranian Rojan u tmerruan kur vizituan varrezat lokale dhe panë se varret e nënave të tyre të ndjera dhe të të afërmeve të tjera gra ishin mbuluar me ngjyrë të bardhë.

“Shkuam në varreza për t’u lutur [për të afërmit tanë të vdekur] dhe pamë këtë”, tha Fatemeh Haji Ahmad, citon agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

“Të shohësh gurin e varrit pa fotografinë e nënës sime, ishte tronditëse. Dëshira e vetme e nënës sime ishte të kishte imazhin e saj në gurin e varrit”, tha ajo.

Familjarët menjëherë u ankuan te zyrtarët e varrezave dhe autoritetet e qytetit për atë që panë më 22 tetor, raportojnë mediat iraniane. Pas zemërimit të publikut për veprimet, fotografitë u rivendosën dhe zyrtarët kërkuan falje.

Imazhet e postuara në mediat sociale tregojnë se ngjyra e bardhë që kishte mbuluar fotografitë e katër grave të ndjera, ishte hequr.

Haji Ahmadi tha se banorët kanë marrë vesh pas një hetimi, se bordi i varrezave ishte përgjegjës për vendimin për t’i mbuluar fotografitë.

“Ata thanë se vendosja e fotografive të grave në gurët e varreve nuk është e drejtë ose e zakonshme në aspektin fetar”, citoi Haji Ahmadi anëtarët e bordit.

“Nëse kjo është e vërtetë, përse atëherë është e drejtë në të gjitha vendet e tjera [në Iran] dhe përse një vendim i tillë merret [vetëm] në Rojan”, tha ajo.

Ruhollah Mazandarani, një tjetër banor i Rojanit, i cili u ankua në polici pasi pa imazhin e nënës së tij të vdekur të mbuluar me ngjyrë, foli për agjencinë e lajmeve IRNA:

“Kjo sjellje është e diskutueshme, si moralisht, ashtu edhe ligjërisht”, tha ai, duke shtuar se “kjo tregon mosrespekt të qartë ndaj të ndjerëve dhe familjeve të tyre”.

IRNA citoi disa klerikë të vjetër, përfshirë Ajatollah Musavi Ardebilin, të kenë thënë se vendosja e fotografive të grave të vdekura në varret e tyre, për aq kohë sa respektohet rregulli i hixhabit, nuk është shkelje e ligjit islamik.

Në mediat sociale, shumë njerëz - përfshirë burrat - thanë se veprimi është shpërfillje e të drejtave të grave në Republikën Islamike.

Në meisn e tyre ishte edhe gazetarja Faezeh Abbasi, e cila tha se “këtu [në Iran] nuk ka asnjë kufizim të mizogjinisë“.

Gratë në Iran janë të privuara nga të drejtat e barabarta në fushat e tilla si divorci apo kujdestaria mbi fëmijët.

Gratë iraniane po ashtu kanë nevojë për lejen e baballarëve ose burrave të tyre për të udhëtuar dhe ato duhet t’i mbulojnë flokët dhe trupin e tyre kur janë në publik.

Gratë janë kundër praktikave dhe ligjeve të tilla diskriminuese dhe kërkojnë më shumë të drejta.

Rritja e mediave sociale u ka siguruar mbrojtësve të të drejtave të grave një platformë për t’i sfiduar gjithnjë e më shumë kufizimet.

Më 26 tetor, kreu i këshillit të qytetit Rojan, Kambakhsh Salari, njoftoi se fotografitë e grave në varreza janë rivendosur.

Ai tha se bordi i varrezave u ka kërkuar falje edhe familjeve të prekura.

“Ishte gabim i një individi”, tha guvernatori i Rojanit, Ali Shadman, në fillim të kësaj jave, duke shtuar se gurët e varreve janë rregulluar “në kohën më të shkurtër të mundshme”.

“Varret u përkasin grave të moshuara, por edhe nëse ato janë të reja, nëse fotografitë e tyre janë me hixhab, nuk ka asnjë problem”, tha ai.

Në vitet e kaluara, varret e anëtarëve të besimit Bahá'í në Iran thuhet se janë përdhosur.

Në vitin 2014, komuniteti ndërkombëtar Bahá'í e akuzoi Iranin për gërmimin e një varreze në qytetin jugor Shiraz, ku janë varrosur dhjetëra ndjekës të Bahá'í-t.

Pjesëtarët e këtij komuniteti përballen me persekutim në Iran, pasi besimi i tyre nuk njihet zyrtarisht.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG