Ndërlidhjet

Zelensky kërkon shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës pas një skandali të ri

Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Kravchenko gjatë një konference në Kiev. Fotografi nga arkivi.
Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Kravchenko gjatë një konference në Kiev. Fotografi nga arkivi.

Parlamenti i Ukrainës pritet të votojë më 15 shtator për dorëheqjen e prokurorit të përgjithshëm të vendit, pasi presidenti Volodymyr Zelensky kërkoi shkarkimin e tij të shpejtë, në mes të tensioneve në rritje lidhur me një seri hetimesh të profilit të lartë për korrupsion.

Ruslan Kravchenko paraqiti dorëheqjen javën e kaluar, duke thënë se nuk dëshironte që pozita e tij të përdorej “si mjet për përplasje politike”, pasi hetuesit kundër korrupsionit u përqendruan në një skemë përvetësimi, të lidhur me një zyrtar të lartë në zyrën e tij.

Më 14 shtator, ai tha se kishte nënshkruar një “njoftim për dyshime” ndaj kreut të Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU), një prej organeve që po heton zyrën e tij. NABU-ja tha në një deklaratë në Telegram se ky veprim ishte “vazhdim i një sulmi sistematik ndaj trupave të pavarur kundër korrupsionit”.

“Ka vetëm një rrugë për këtë prokuror të përgjithshëm: shkarkimi nga detyra. Këtë ia thashë”, tha Zelensky në një postim në rrjetet sociale.

“Ukraina i ka parë të gjitha arsyet pse të shkarkohet. Nëse ai e konsideron këtë presion politik, është i lirë ta quajë kështu. U bëj thirrje deputetëve ta mbështesin shkarkimin e tij, pa vonesa”.

Polemika rreth Kravchenkos, i cili më 14 shtator tha se aktualisht ndodhet jashtë vendit në një udhëtim të lidhur me punën e tij, është e fundit në një varg akuzash dhe hetimesh për korrupsion që kanë dëmtuar Qeverinë e Zelenskyt.

Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Zelenskyt, Andriy Yermak, u detyrua të jepte dorëheqjen vitin e kaluar, ndërsa hetuesit nisën hetime lidhur me një skemë që përfshinte qindra miliona dollarë në ryshfete nga kontraktorët për kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore, Energoatom.

Mykhaylo Fedorov, i cili shërbeu si ministër i Mbrojtjes deri në shkarkimin e tij në korrik, është ankuar publikisht për korrupsionin në sektorin e mbrojtjes, në atë që shumë vëzhgues e panë si një sfidë të hapur ndaj Zelenskyyt.

Gjenerali i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, me të cilin Fedorov ishte përplasur, më vonë u shkarkua nga detyra.

Zelensky nuk është përfshirë në këto skandale, të cilat më herët çuan në dorëheqjen ose shkarkimin e ministrave të Drejtësisë dhe të Energjisë.

Në korrik, Zelensky bëri gjithashtu ndryshime të mëdha në Qeveri, duke shkarkuar kryeministren Yulia Svyrydenko dhe duke e zëvendësuar atë me kreun e kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz. Ai zëvendësoi gjithashtu ambasadoren e vendit në Uashington, e cila përballet me akuzat për korrupsion.

Por, skandalet kanë dëmtuar popullaritetin e Zelenskyt dhe disa sondazhe tregojnë se ai renditet pas disa figurave të njohura publike.

Në krye të tyre është Valeriy Zaluzhniy, ish-gjenerali i lartë dhe ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës. Ai aktualisht shërben si ambasador i Kievit në Londër.

XS
SM
MD
LG