Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Fehim Salit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.
Gjykata tha se vendosi që Sali të qëndrojë në paraburgim deri më 13 shtator, duke pasur parasysh rrezikun se ai mund të ikë, mund të ndikojë te dëshmitarët dhe provat dhe për shkak të rrezikut të përsëritjes apo vazhdimit të veprës penale të spiunazhit.
“Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se, në këtë fazë të procedurës, masat më të buta nuk janë të mjaftueshme për neutralizimin e këtyre rreziqeve dhe për sigurimin e zhvillimit të papenguar të procedurës penale”, u tha në njoftim, ku u shtua se për këtë vendim, palët kanë të drejtë ankese.
Prokuroria Speciale e Kosovës parashtroi kërkesën për paraburgim pas arrestimit të djeshëm të Salit, shtetas i Kosovës, në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin për spiunazh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, Sali dyshohet se për një periudhë të pacaktuar deri më 13 gusht i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), me qëllim të përfitimit material.
Prokuroria thotë se ai i ka ofruar BIA-s informacione për situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka ofruar të dhëna për persona që, sipas Prokurorisë, i përkasin sektit vehabi.
Disa prej këtyre personave, thuhet në kërkesë, Sali i ka propozuar si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.
"Dyshimi i bazuar mirë u vërtetua edhe nga deklarata e vet të pandehurit i cili në detaje përshkruan veprimet e tij inkriminuese, duke ofruar mënyrat dhe vendtakimet e komunikimit dhe ofrimit të informacioneve dhe ndihmën për BIA-n serbe", thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Sipas Prokurorisë, paraburgimi është i nevojshëm për të parandaluar vazhdimin e veprës penale, rrezikun e arratisjes së tij, duke pasur parasysh edhe shtetësinë serbe, si dhe mundësinë e zhdukjes ose dëmtimit të provave.
Më herët, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se i dyshuari ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa hetuesit policorë kishin kryer edhe një bastisje në vendbanimin e tij në Dragash.
Gjatë bastisjes, sipas Prokurorisë, janë gjetur dhe sekuestruar 39.500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.
Sali, i cili vjen nga Komuna e Dragashit dhe është i angazhuar në sistemin arsimor serb në Kosovë, kishte qenë edhe anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete, që vepron pranë Presidencës së Kosovës.
Sipas Presidencës, ai kishte qenë anëtar i Këshillit si përfaqësues i komunitetit goran për dy mandate, nga viti 2020 deri më 2022 dhe nga viti 2022 deri më 2024.
Ai ishte shkarkuar nga Këshilli më 3 maj 2024, pas një raporti të informacioneve të sigurisë dhe me propozim të sekretarit të Këshillit.
Në një përgjigje për REL-in, Presidenca kishte thënë se Sali nuk është anëtar i Këshillit që nga shkarkimi i tij në vitin 2024, ndërsa nuk kishte dhënë detaje për raportin e sigurisë.
Spiunazhi, sipas Kodit Penal të Kosovës, përfshin veprimet e fshehta të mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm te një shtet, organizatë ose grup tjetër dhe dënohet me së paku pesë vjet burgim.