Ndërlidhjet

Prokuroria: Aktgjykimi ndaj Mustafës përbën fitore për drejtësinë 


Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale të Kosovës, Alex Whiting.
Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale të Kosovës, Alex Whiting.

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale të Kosovës, Alex Whiting, ka mirëpritur vendimin ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, duke e konsideruar atë si “masë që u jep drejtësi viktimave”.

Kjo gjykatë që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por e ka selinë në Hagë, e ka dënuar Mustafën me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

“Aktgjykimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre”, ka thënë Whiting.

Në një komunikatë për media, Whiting është cituar të ketë thënë se “dëshmia e dëshmitarëve që i dhanë besimin e tyre Dhomave të Specializuara që të sjellë drejtësi, pati ndikim kritik te aktgjykimi”.

“Unë duartrokas kurajën e tyre të jashtëzakonshme që dolën për të dhënë dëshmi në gjykatë,” ka thënë ai.

Sipas tij, krijimi i Gjykatës Speciale u ka mundësuar viktimave që të tregojnë historitë e tyre dhe të marrin drejtësi.

Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka shtuar Whiting, ka bërë të mundur që këto viktima të tregojnë historitë e tyre dhe të marrin drejtësi.

“Me vendimin e sotëm, Dhomat e Specializuara kanë treguar se ato janë një gjykatë për viktimat dhe rreth viktimave dhe se nuk ka datë skadimi për dhënien e llogarisë”, citohet të ketë thënë Whiting.

Aktvendimi ndaj Salih Mustafës është i pari i kësaj gjykate lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ajo është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi të senatorit zviceran, DickMarty.

Në atë raport janë përmendur krimet e pretenduara në Kosovë.

Në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, deputetët kanë miratuar edhe një ligj tjetër që ua garantonte të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.

Në dy vjetët e fundit, buxheti i Kosovës ka ndarë mbi 13 milionë euro për qytetarët e akuzuar në këtë gjykatë.

Shuma më e madhe e parave është shpenzuar për avokatët e tetë të akuzuarve.

XS
SM
MD
LG