Ndërlidhjet

Propozim-buxheti i Trumpit parasheh mbylljen e tri shërbimeve të REL-it


Selia e Radios Evropa e Lirë në Pragë

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paraqiti kërkesën për buxhetin e vitit 2020, e cila propozon zvogëlimin e shpenzimeve në transmetimet ndërkombëtare për 22% dhe parasheh eliminimin e tri shërbimeve të Radios Evropa e Lirë.

Një përmbledhje e buxhetit të propozuar u publikua në faqen e internetit të Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr transmetimet e Radios Evropa e Lirë, Zërit të Amerikës, Radios Azia e Lirë dhe entiteteve të tjera.

Sipas kërkesës për buxhet, buxheti i Radios Evropa e Lirë do të zvogëlohej nga 124 milionë dollarë në vitin 2019 në 87 milionë dollarë më 2020.

Kjo parasheh masa gjithëpërfshirëse për zvogëlimin e shpenzimeve, duke përfshirë mbylljen e propozuar të shërbimeve të Radios Evropa e Lirë për Gjeorgjinë, Tatar-Bashkirin dhe Kaukazin Verior gjatë vitit fiskal.

Radio Evropa e Lirë do të shkurtonte edhe shërbimin e Ballkanit, “duke i ndërprerë operacionet në gjuhën malazeze dhe maqedonase”.

“Vitin e kaluar, Radio Evropa e Lirë arriti një audiencë javore prej 34 milionë njerëzish në internet, televizion dhe radio – 30% më shumë se vitin paraprak. Kjo është dëshmi për nevojën në rritje për gazetari objektive në Rusi, Iran, Pakistan dhe në të gjitha vendet e shënjestruara të Radios Evropa e Lirë”, tha ushtruesja e detyrës së presidentes së Radios Evropa e Lirë, Daisy Sindelar.

Radio Evropa e Lirë aktualisht transmeton në 22 vende në 26 gjuhë. Misioni i saj është të ofrojë lajme dhe informacione objektive dhe profesionale në vendet me media të kufizuara.

Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë dhe entitetet e tjera të Agjencisë Amerikane për Media Globale gjithashtu parashihet të kenë shkurtime të konsiderueshme në buxhetin e propozuar për vitin 2020.

Në përgjithësi, kërkesa e Trumpit është buxheti më i madh federal në historinë e SHBA-së dhe bën thirrje për 4.7 trilionë dollarë në shpenzime, përfshirë 750 miliardë dollarë më shumë në shpenzimet e mbrojtjes dhe 8.6 miliardë dollarë për ndërtimin e barrierave fizike përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

"Hapi i parë në një proces të gjatë"

Propozimi tani do t’i dërgohet Kongresit amerikan, i cili ka fuqinë vendimmarrëse për buxhetin dhe shpesh paraqet ndryshime thelbësore në propozimet e degës së ekzekutivit.

Në vitin 2019, Kongresi miratoi një buxhet prej 124 milionë dollarësh për Radion Evropa e Lirë, pas propozim-buxhetit të presidentit prej 91 milionë dollarësh.

"Propozimi i buxhetit për vitin fiskal 2020 është hapi i parë në një proces të gjatë", tha Sindelar.

"Edhe pse kritikët në disa vende mund të duan largimin tonë, ne shpresojmë të vazhdojmë punën tonë jetike - të mbështetur nga palët tona në SHBA", shtoi ajo.

Kur administrata Trump e paraqiti propozimin e saj në Kongres më 11 mars, shumë përfaqësues nga Partia Demokratike e opozitës e hodhën poshtë atë.

"Shkurtimet e egra në kërkesën e presidentit Trump për buxhetin hapin rrugën për një Amerikë më të sëmurë dhe më të dobët", tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve - e cila udhëhiqet nga demokratët - Nancy Pelosi.

Edhe disa anëtarë të Partisë Republikane të Trumpit u shprehën të matur.

Senatori republikan, Mike Enzi, kryetar i Komitetit të Senatit për Buxhetin, tha se kërkesa e Trumpit është "hapi i parë në procesin e buxhetit federal".

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG