Ndërlidhjet

Protestat në Hong Kong u përshkallëzuan nga frika e Kinës autoritare


Hong Kong
Hong Kong

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, e dënoi, siç tha, “përdorimin ekstrem të dhunës” nga protestuesit, që sulmuan dhe vandalizuan parlamentin e këtij territori të hënën.

Aktivistët e pushtuan Këshillin Legjislativ për orë të tëra, pasi u larguan nga një protestë paqësore.

Trazirat, në fakt, pasuan protestat paqësore që zgjasin me javë në Hong Kong dhe janë nxitur nga një projektligj për ekstradimin.

*Video: Protestuesit përleshen me policinë në Hong Kong

Përleshje midis policisë dhe protestuesve në Hong Kong
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Shefja ekzekutive e Hong Kongut mbajti një konferencë për media pasi policia i dëboi protestuesit nga Këshilli Legjislativ, duke përdorur gaz lotsjellës.

“Veprimet e atyre që hynë në Këshillin Legjislativ duhet t’i dënojmë seriozisht, sepse asgjë nuk është më e rëndësishme sesa sundimi i ligjit në Hong Kong", tha Lam.

Qeveria e ka pezulluar ligjin që do të lejonte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë, por protestuesit duan që ai të shfuqizohet plotësisht dhe kërkojnë nga Lam që të japë dorëheqje.

Të hënën ishte përvjetori i dorëzimit të Hong Kongut nga Britania nën sundimin kinez, në vitin 1997.

Dita zakonisht shënohet me një marshim, por ngjarja e këtij viti përkoi me atmosferën e protestave kundër ligjit për ekstradim, i cili, sipas kritikëve, mund të ketë në shënjestër disidentët politikë.

Frikë për lirinë

“Kina para vitit 1997, kur Britania ia ka dorëzuar Hong Kongun, ka premtuar që në gjysmëshekullin e ardhshëm do të mbajë modelin ‘një shtet, dy sisteme’, por në 22-vjetorin e dorëzimit të territorit, ngjarjet sugjerojnë ndryshe dhe shumë frikësohen nga humbja e lirisë”, shkruan gazeta amerikane New York Times.

Sipas saj, qytetarët e Hong Kongut vazhdojnë të gëzojnë liri, për të cilat kinezët në pjesën tjetër të shtetit vetëm mund të kenë zili.

Në Hong Kong kanë lirinë e tubimit, media të lira dhe gjyqësor të pavarur, por, siç shkruan New York Times, pothuajse çdo ditë ka dëshmi të reja që këto liri po zhduken dhe territori po bie nën hijen e Pekinit.

Sipas Deklaratës së Përbashkët Britaniko-Kineze të vitit 1984, Kina është përgjegjëse për çështjet e jashtme dhe mbrojtjen, ndërsa përgjegjësitë e tjera i takojnë Hong Kongut.

“Por, viteve të fundit, këto linja po mjegullohen, sidomos në fushën e drejtësisë. Liria e mediave është gjithashtu në pikëpyetje”, shkruan New York Times.

Protestuesit tentojnë të hyjnë në Qeverinë e Hong Kongut. 1 korrik, 2019.
Protestuesit tentojnë të hyjnë në Qeverinë e Hong Kongut. 1 korrik, 2019.

Protestat në Hong Kong janë bërë një mënyrë e rëndësishme dhe efektive për të shprehur qëndrimet dhe për të mbrojtur të drejtat politike, pasi sistemi i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve nuk i pasqyron dëshirat e publikut, shpjegon për gazetën Washington Post Jongshun Kai, profesor i shkencave sociale në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Hong Kong.

Sipas gazetës, vala e tanishme e protestave, që ka nisur më 31 mars, kujton demonstratat e vitit 2003 kur gjysmë milioni njerëz kanë dalë në rrugë kundër një propozimi për sigurinë kombëtare dhe kanë arritur ta detyrojnë qeverinë që të heqë dorë nga ai.

Por, profesori Kai kujton se protestat para pesë vjetësh në Hong Kong nuk kanë pasur sukses dhe autoritetet kineze kanë refuzuar të pranojnë që udhëheqësi i rajonit të zgjidhet në zgjedhje – edhe pse protestat kanë zgjatur gati 80 ditë.

Sfidë për presidentin e Kinës

Sipas gazetës britanike Guardian, përshkallëzimi i protestave në Hong Kong paraqet sfidë personale për sundimin autokratik të presidentit kinez, Xi Jinping.

Gazeta shkruan se Xi, tash për tash, është distancuar nga trazirat në Hong Kong, porse këmbëngulja e protestës mund ta detyrojë atë të angazhohet në zgjidhjen e krizës.

“Vazhdimi i protestave mbi ligjin e propozuar për ekstradim, pavarësisht tërheqjes së pjesshme të qeverisë, tregon për pakënaqësi më të thella me mungesën e të drejtave të plota demokratike dhe për një atmosferë frike për shkak të autoritarizmit agresiv të Xisë”, shkruan Guardian.

Po sipas kësaj gazete, Xi duhet të ketë frikë se rritja e papunësisë në Kinë mund të çojë në trazira të mëdha sociale.

Qeveria kineze i kërkoi Hong Kongut të hetojë "shkelësit e dhunshëm" në protestat e së hënës.

Përpara se dhuna të shpërthente, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu mbështetjen e tij për protestuesit.

Ai tha se demonstruesit "kërkojnë demokraci" dhe shtoi se "për fat të keq, disa qeveri nuk duan demokraci".

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Jeremy Hunt, tha gjatë fundjavës se ka mbështetje "të palëkundur" për Hong Kongun dhe liritë e tij, por kërkoi përmbajtje nga protestuesit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG